Trashëgimia e Behramit s’është çokollatë e Zvicrës, ajo është e madhe dhe e fortë

E publikuar: 12/08/2018 08:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ishte dueli i ndeshjes. Të tillë e vlerësoi FIFA. Përfundimisht ishte edhe prej dueleve më të forta në të gjithë botërorin e futbollit “Rusia 2018”. Dhe vlerësimi i shumicës ishte se u fitua nga ai që mbrohej.

Bëhet fjalë për duelin e mbrëmjes së 17 qershorit, të ndeshjes ndërmjet Brazilit dhe Zvicrës, të luajtur në Rostov Arena dhe që u mbyll 1:1.

Për duelin mes mesfushorit defensiv të Zvicrës, Valon Behrami dhe sulmuesit brazilian Neymar, lojtarit më të shtrenjtë në botë. Duelet mes tyre ishin të shpeshta në atë takim që nuk dha fitues. Neymar mbeti shpeshherë i shtrirë në tokë, pak nga ndërhyrjet e futbollistit luftarak kosovar e më shumë falë aktrimit të tij. Por në fund u vlerësua se Behrami i ndihmuar nga lojtarët e tjerë ia doli të ndalte Neymarin dhe se ishte fitues i duelit të drejtpërdrejtë me më të shtrenjtin e kësaj loje.

Behrami nuk iu nda për asnjë çast superyllit brazilian, që nuk ia doli të bënte diferencën në atë sfidë të raundit të parë të fazës grupore të botërorit të këtij viti, shkruan Koha Ditore.

Ajo mbetet prej ndeshjeve më të mëdha të Behramit me fanellën e Zvicrës. Por trashëgimia e tij për futbollin e Zvicrës, për përfaqësuesen e këtij vendi vlerësohet shumë e madhe. E tillë, ndonëse jo në mënyrë direkte, është edhe për futbollin e Kosovës dhe për futbollin shqiptar në përgjithësi…