Trashëgimia do të ndahet përmes noterëve

E publikuar: 30/06/2018 17:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kuvendi i Kosovës është në procedim për të ndryshuar Ligjin për Noterinë, Ligjin për Procedurën Jo Kontestimore, si dhe Ligjin për Trashëgimi.
Ndryshimet ligjore në bazë të këtyre projektligjeve synojnë që të e shkarkojnë gjykatën nga lëndët e shumta, dhe lëndët të cilat janë në procedurë jo kontestimore të i rregullojnë noterët.

Sipas këtyre ndryshimeve, parashihet që po ashtu, procedura për hapjen e trashegimisë të filloj përmes detyrës zyrtare e jo siç është bërë deri më tash. Po ashtu, është paraparë që përmes këtyre ndryshimeve të rregullohet çështja e heqjes dorë nga trashëgimia, ku personat që duan të heqin dorë do të kenë seancë të veçantë me noterin.

Korab Sejdiu, Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës si dhe anëtari i Komisionit për Legjislacion, ka thënë për Gazetën Express se Projektligji për Procedurën Jo Kontestimore, Projektligji për Noterinë, si dhe Projektligji për Trashëgiminë, janë afër procedurave të përfundimit dhe se shumë shpejt do të shkojnë në lexim të dytë. “Ideja është që të shkarkohen gjykatat dhe përmes noterëve të rregullohet çështja e trashëgimisë në procedurë jokontestimore, si dhe përmes seancave individuale me noterë në rastet kur dikush do të heqë dorë nga e drejta në trashëgimi”.

Për Gazetën Express ka folur një vajzë të cilës i është mohuar e drejta në trashegimi. Është kjo Afërdita Statovci, të cilës i ka vdekur babai në moshën 10-vjeçare.

Axha i saj (vëllai i babait) e ka larguar atë dhe nënën e saj nga shtëpia, duke u thënë se ato nuk kanë çfarë të kërkojnë aty, si dhe më pas është munduar ta fshehë Afërditën si trashëgimtare ligjore të babait të saj.

Babai i Afërditës dhe axha i saj e kanë blerë një tokë së bashku. Kjo tokë nuk është vënë në emrin e të dyve menjëherë pas blerjes.

Pas vdekjes së babait të Afërditës, xhaxhai i saj e ka vënë këtë tokë në emrin e tij pa e njoftuar fare Afërditën, madje duke e fshehur atë dhe duke e vënë në lajthitje shitësin se kjo çështje është e rregulluar.

Afërdita në vitin 2006 ka bërë padi për trashëgimi. Kjo padi ka rezultuar me një vendim të plotfuqishëm në favor të saj, si dhe i është bartur prona që i ka takuar.

“Kryetari i Gjykatës Komunale në Prishtinë (tani Gjykatës Themelore), Nuri Uka, ka hekë plotfuqishmërisë edhe lënda është rikthyer në rigjykim, prapë ka vendosë shkalla e dytë në favor temin, prapë landa ka shku në shkallën e parë, landa ka shku tri herë në shkallën e parë”, ka thënë ajo për Gazetën Express. “Djali i shitësit e ka tregu të vërtetën se si është blerë ajo tokë dhe nga kush është ble. E ka pasë amanet nga baba i vet”, ka thënë ajo.

Afërdita që të gjitha herët ka fituar lëndën në favor të sajin, por ajo është atakuar dhe është kthyer në shqyrtim përsëri. “Landa jem ka 13 vjet që sillet nëpër gjykata, çdo të premte shkoj po më thojnë se kanë shumë landë tjera ma përpara, landa jem është prej 2006-s”, ka thënë ajo.

Afërdita Statovci është në gjendje të vështirë ekonomike për shkak të bllokimit së trashëgimisë që asaj i takon dhe mos reagimit të duhur dhe efektiv të drejtësisë.kosovare. “Kam veç edhe këtë muj të pagume qiranë, më nuk di se çka kam me ba, as kah me ja mbajtë”, ka thënë Afërdita. “Për pesë vite kam qëndru nëpër familjarë bashkë me nanën. Kur kam punu kemi nejtë me qira, nanën tash e kam smutë edhe vetë nuk jam mirë”, ka thënë ajo. Ajo thotë se e ka humbur shpresën në drejtësinë e këtij vendi, pasi që asaj po dështojnë t’i japin atë që i takon./GazetaExpress/