Transmetimet analoge, Kuvendi kritikon AMA për menaxhimin e procesit të dixhitalizimit

E publikuar: 18/04/2019 14:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mënyra sesi u menaxhua fushata dhe mbyllja e transmetimeve analoge në Tiranë, Durrës dhe Vlorë në shtator 2018 nga ana e Autoritetit të Mediave Audiovizive nuk ka kaluar pa u kritikuar nga Kuvendi. Në projektrezolutën e përgatitur për aktivitetin e këtij institucioni është vënë theksi tek amullia e krijuar vitin e shkuar, nevojën për më shumë qartësi ndaj qytetarit si dhe një menaxhim më të mirë të procesit që do të ndodhë në shtator të këtij viti pas shtyrjes me disa herë.

Konkretisht Kuvendi ka kërkuar që AMA të vijojë fushatën e informimit të qytetarëve deri në mbylljen e plotë të procesit të digjitalizimit, fushatë e cila duhet të përmbajë informacione sa më praktike, me gjuhë sa më të thjeshtë, ilustrime konkrete dhe imazhe mbi teknologjinë që duhet përdorur dhe duke theksuar se tregu u dekoderave DVB –T2 është treg i hapur, dhe këto dekoderë mund të sigurohen në çdo pikë shitjeje të pajisjeve elektronike.

Nga ana tjetër është kërkuar që institucioni të bëjë një analizë të plote të situatës së krijuar nga mbyllja e transmetimeve analoge, në shtator 2018, situatë e cila krijoi vështirësi për qytetarët shqiptarë, ku u identifikuan radhë të gjata në pikat e shitjeve të dekoderave dhe paqartësi lidhur me teknologjinë e dekoderave.

Së treti ka theksuar se duhet të merren masat e nevojshme, duke bërë një vlerësim paraprak të situatës, në mënyrë që në afatin e ri të vendosur për mbylljen e transmetimeve analoge, të mos kemi përsëritje të situatës së vështirë që u krijua për qytetarët në shtator 2018 dhe qytetarët të jenë të parapërgatitur dhe të mirëinformuar, pasi bëhet fjalë për qarqet ku është përqendruar numri më i madh i popullsisë.

Kjo është çështja që të paktën në projektrezolutë është cilësuar si prioritete ndër pikat e renditura ndërkohe që në detyrat që do t’i lihen AMA-s për këtë vit është edhe ajo për mbrojtjen dhe forcimin e të drejtave të punës dhe sociale të gazetareve si dhe rritja e bashkëpunimit me Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare për të luftuar piraterinë online. /Monitor