Tragjedi në Florida, shembet mbikalimi, disa viktima

E publikuar: 15/03/2018 20:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një mbikalim i sapondërtuar këmbësorësh është shembur në universitetin ndërkombëtar të Floridas dhe policia thotë se ka disa viktima. Pamjet e strukturës së shembur në kolegjin në Majemi, janë shpërndarë në mediat sociale pasditen e të enjtes.

Një segment 950 tonësh është shembur dhe mediat lokale raportuan për një numër personash të bllokuar nën rrënojat e mbikalimit të ndërtuar mbi një autostradë. Zyrtarët e policisë kanë thënë për mediat se ka disa viktima dhe pesë deri në gjashtë automjete të shkatërruara nën mbikalim. Pamjet nga ajri tregonin skuadrat e emergjencave që përpiqeshin të depërtonin nën urë për të arritur tek makinat e bllokuara. Autoritetet ndërkohë i kanë kërkuar njerëzve të evitojnë zonën.

Guvernatori i Floridas, Rick Scott reagoi pas aksidentit në Twitter: Kam folur me policinë lokale në lidhje me incidentin. Do të jem në komunikim të vazhdueshëm gjatë ditës.” Mediat lokale nënvizojnë se mbikalimi që lidhte kolegjin me zonën e konvikteve, kishte kohë që kërkohej nga studentët dhe stafi në mënyrë që ata të evitonin trafikun nën të. Në gusht 2017 një student u përplas nga një makinë, dhe humbu jetën, ndërsa kalonte rrugën.

Kompania që ka ndërtuar mbikalimin ka bërë të ditur se ka nisur një hetim të plotë për të përcaktuar se çfarë ka shkuar gabim dhe do të bashkëpunojë me hetuesit. Mbikalimi do të hapej zyrtarisht në 2019. Kostoja prej 14.2 milionë dollarësh për ndërtimin e tij është mbuluar nga departamenti amerikan i transportit.