Trafikimi me njerëz, sfidë në Kosovë – vetëm në fillim të këtij viti u shënuan 6 raste

E publikuar: 01/07/2018 14:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Trafikimi i qenieve njerëzore vazhdon të mbetet sfidë për institucionet e Kosovës. Vetëm në muajt e parë të këtij viti janë shënuar 6 raste të këtilla, shkruan Koha.net.

Departamenti Amerikan i Shtetit, së fundmi publikoi një raport ku thuhet se Kosova vazhdon të jetë në grupin e dytë nga një vlerësim që u bë në shumë shtete. Aty janë ndarë tri kategori; shtete, qeveritë e të cilave përmbushin standardet minimale; vendet që nuk i përmbushin plotësisht standardet, por që bëjnë përpjekje për t’i përmbushur dhe; vendet që nuk i plotësojnë standardet dhe që nuk bëjnë përpjekje.

Koha.net ka kontaktuar me Policinë e Kosovës për të mësuar statistikat e rasteve të trafikimit me njerëz në Kosovë. Policia ka njoftuar për shifrat që kanë siguruar gjatë muajit janar deri në muajin maj të vitit 2018. Bëjnë të ditur se kanë arrestuar 95 persona gjatë kësaj periudhe.

Në kohë kaq të shkurtër, janë 6 raste të trafikimit me njerëz në Kosovë.

Mundësim apo detyrim në prostitucion, policia thotë se janë 26 raste ndërsa marrje me prostitucion 54.

Shërbime seksuale të viktimave të trafikimit, siç e ka klasifikuar Policia, janë 2 raste ndërsa vepra tjera penale janë 7.

“Gjatë periudhës janar-maj 2018, Drejtoria për Hetim e Trafikim me Qenie Njerëzore, me qëllim të parandalimit të veprimeve kriminale, me theks të veçantë parandalimin e trafikimit me njerëz, mbrojtjen e viktimave dhe hetimin e rasteve të trafikimit apo edhe rasteve tjera që ndërlidhen me trafikimin me njerëz, në vazhdimësi ka zhvilluar veprime operative hetimore në terren, dhe po vazhdojmë të punojmë tutje”, thuhet në përgjigjen e policisë për Koha.net.

Raporti i DASH-it thekson se Qeveria e Kosovës nuk i plotëson standardet minimale për eliminimin e trafikut, por po bën përpjekje për ta bërë këtë. Aty, gjithashtu përmendet se korrupsioni në Kosovë krijon mjedis për trafikimin me njerëz.

Në raport thuhet po ashtu se Kosova është destinacion për viktimat e trafikimit, që kryesisht përdoren në industrinë e seksit dhe punë të detyrueshme.

Policia e Kosovës thotë se trafikimi me njerëz është një dukuri kriminale e ndërlikuar, dhe ky krim zakonisht shoqërohet edhe me vepra tjera kriminale, po ashtu trafikantët dhe grupet kriminale përpiqen në vazhdimësi të gjejnë mënyra dhe forma të ndryshme të kryerjes së veprës penale duke e ndryshuar ‘modus-operandin’.

Kujtojmë se Kodi Penal i Republikës së Kosovës parasheh dënime për trafikimin me njerëz nga 5 deri në 12 vjet burgim.