Toure nuk e hedh poshtë mundësinë e kalimit në Serie A

E publikuar: 31/10/2017 17:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mesfushori i Manchester Cityt, Yaya Toure, nuk e ka hedhur poshtë mundësinë e kalimit në Serie A kur t’i përfundojë kontrata me klubin anglez.

Futbollisti nga Bregu i Fildishtë do të mbetet pa kontratë në fund të këtij sezoni dhe vështirë se do t’ia rinovojë klubi nga Etihad.

Mesfushori e ka të kufizuar minutazhin e lojës (Getty Images)

Ai nuk është ndër preferencat e Pep Guardiolas, duke qenë se kishte qenë pikërisht spanjolli që e pati shitur në vitin 2010 nga Barcelona.

Në kohët e fundit, ai është lidhur vazhdimisht me një kalim në Serie A, ndërsa Interi është ndër favoritët që e duan nënshkrimin e tij.

Në një intervistë për Gazzetta dello Sport, Toure ka pranuar se ka pasur kontakte me klubet italiane në të kaluarën dhe nuk e ka hedhur poshtë mundësinë që ta vazhdojë karrierën në Itali.

Toure nuk është i preferuari i Guardiolas (Getty Images)

“Në të kaluarën ka pasur disa kontakte nga futbolli italian, mirëpo unë ndoqa rrugë tjera dhe të rëndësishme, si Barcelona dhe Manchester City”.

“Mirëpo, asnjëherë mos thuaj kurrë në jetë”, ka deklaruar 34-vjeçari.

Fernandinho, Kevin De Bruyne dhe David Silva janë të preferuarit e Guardiolas në mesfushë, ashtu që Toure e ka të kufizuar minutazhin e lojës. /Telegrafi/