Torino e “çon” Ajetin drejt Pescaras

E publikuar: 07/01/2017 14:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pavarësisht dëshirës së mbrojtësit të Kombëtares, Arlind Ajeti për ta vazhduar karrierën te Torino, mediat italiane zbulojnë një detaj që lidhet me të ardhmen e 23-vjeçarit. Sipas “Calciomercato.com”, klubi granata po punon intensivisht në merkato dhe një nga repartet që mbetet kantier i hapur është edhe mbrojtja. Mbrojtësi tunizian i Valencias, Abdennour është në bisedime me presidentin Cairo, ndërsa Torino ka zyrtarizuar edhe mbrojtësin Carlao, i cili mbërrin në Itali pas ekseriencës me skuadrën qipriote të APOEL Nicosia.

Një tjetër lojtar në planet e Mihajlovic është edhe mbrojtësi i Pescaras, Fornasier dhe është pikërisht Ajeti që mund ta zgjidhë transferimin e tij. Nga ajo që theksojnë mediat, Ajeti është propozuar për një këmbim me 23-vjeçarin italian. Pescara nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën që ka për të afruar shqiptarin dhe bisedimet mund të avancojnë gjatë ditëve të ardhshme, por vendimtare do të jetë edhe dëshira e Ajetit që dëshiron të konsumojë të gjitha mundësitë te Torino për një vend titullari. Ajeti u transferua gjatë muajve të verës te skuadra “granata” me parametra zero pas një sezoni të suksesshem në radhët e Frosinones.