Tmava dorëhiqet nga “Trepça”, akuzon ministrin Lluka – ky i fundit mohon akuzat

E publikuar: 12/03/2018 20:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deklarimi i ish-drejtorit të kombinatit Trepça, Ahmet Tmava, për dorëheqjen e tij, e ka bërë ministrin e Zhvillimit Ekonomik të mbajë konferencë urgjente për media.

Valdrin Lluka ka mohuar akuzat e Ahmet Tmavës, duke thënë se mandati i tij ka përfunduar më 6 shkurt, raporton KTV.

Pas përfundimit të mandatit, Tmava kishte qenë edhe pjesë e një delegacioni që vizitoi Kanadanë, e për të cilën vizitë ministri thotë se ka qenë vendim krye në vete i ish-drejtorit.

Ndërsa, për ngërçin në statusin dhe përzgjedhjen e Bordit të Trepçës, Lluka ka thënë se janë në proces të zgjidhjes së tij.

Haki Shatri, këshilltari i kryeministrit, ka deklaruar për KTV-në se nuk ka të interesuar nga komunitetit serb për t’u bërë anëtar të bordit, por Lluka thotë se janë duke i analizuar 9 të interesuar.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik kishte premtuar se ky bord do të kompletohet brenda marsit, por një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë.

Kompletimi i bordit është kusht që kombinati Trepça të kalojë në ndërmarrje publike strategjike.