Tirana zyrtare: Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO, garanci për siguri në rajon

E publikuar: 06/02/2019 14:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tiranë, 6 shkurt – Autoritetet shqiptare kanë përshëndetur nënshkrimin e protokollit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, si një garanci për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

Presidenti Ilir Meta uroi drejtuesit politikë dhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

“Urime udhëheqësve politikë vizionarë dhe qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut për këtë arritje të merituar, që nxit përparimin e mëtejshëm të vendit, rrit sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe forcon Aleancën e vlerave të përbashkëta Trans-Atlantike. Vendimi i duhur në kohën e duhur!”, shprehet Meta.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka po ashtu e cilësoi lajm të shkëlqyer sot nënshkrimin e protokollit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO. “Urime qytetarëve të Maqedonisë së Veriut për këtë arritje të merituar. Aleanca hapi krahët dhe dyert për të mirëpritur anëtarin e vet të 30-të në familjen më të madhe politiko-ushtarake. Një mesazh i fortë strategjik për fqinjët tanë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor. Prej ditës së sotme rajoni ka fituar më shumë siguri, stabilitet dhe paqe”, tha Xhaçka.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha theksoi se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO përbën ngjarje e madhe për rajonin, sigurinë, paqen dhe demokracinë.

“Përshëndes nënshkrimin e protokollit te anëtarësimit në NATO të Maqedonisë se Veriut. Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO është një ngjarje e madhe për rajonin tonë. Zgjerimi i NATO-s ne Ballkan është një kontribut përcaktues për sigurinë, paqen dhe vlerat e demokracisë”, shprehet Basha.

Po ashtu Basha tha se “Ndihem krenar që në këtë arritje të madhe faktori politik dhe vullneti i shqiptareve ne Maqedoninë e Veriut mbështetën dhe përcaktuan pa hezitim këtë arritje historike”.

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati u shpreh se firmosja e protokollit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO është dëshmi e triumfit të vlerave euro-atlantike në rajonin tonë. “Vizioni dhe përkushtimi i dëshmuar përmes dialogut të dy fqinjëve tanë për tejkalimin e mosmarrëveshjes që mbajti pezull për gati 3 dekada perspektivën e integrimit euro-atlantik ia doli të lërë pas ndasitë e së shkruarës dhe të projektojë një të ardhme më të sigurt e begatë për rajonin, Europën dhe Aleancën e Atlantikut të Veriut. Përgëzime të gjithë atyre që punuan për të bërë të mundur këtë arritje historike, veçanërisht faktorin politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut që vijimësisht ka punuar për ankorimin në rrjedhat euro-atlantike. Shqipëria mbështet gjithnjë një Maqedoni të Veriut multietnike, demokratike, të kyçur në NATO dhe BE”, tha Bushati.