Timonie: Pritjet për caktimin e datës ishin jo reale

E publikuar: 24/10/2019 18:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pritjet e Maqedonisë së Veriut për marrjen e datës së bisedimeve kanë qenë joreale dhe llogari për këtë duhet kërkuar nga ata që i kanë premtuar këtë dhe jo nga Franca, ka deklaruar ambasadori francez në Shkup, Kristian Timonie. Në një konferencë për mediat ai ka shpalosur pozicionin e Francës, pasi Maqedonisë së Veriut nuk iu caktua data për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ambasadori Timonie ka theksuar se në formë të padrejtë pritjet e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut ishin bazuar në Marrëveshjen e Prespës dhe jo në reformat e nevojshme për procesin integrues të Maqedonisë së Veriut.

“Në mënyrë misterioze gjatë gjithë verës, u ngritën pritjet se vendimi për fillimin e negociatave do të kompensohej me Marrëveshjen e Prespës. Disa u dhanë premtime dhe më pas e hodhën fajin që të tjerët t’i plotësojnë. Tani, edhe ata duhet të mbajnë pjesë të përgjegjësisë për shkak se me këtë u krijua mendim i lartë publik, i cili ishte presion shtesë indirekt ndaj shteteve, të cilat duhej të shpreheshin për vendim pozitiv. Dhe, e gjithë kjo pa ndodhur diskutimet, të cilat duhej të mbaheshin në bazë të një agjende të konfirmuar konkrete”, ka theksuar Timonie.

Ai ka nënvizuar se me vëmendje e përcjell situatën në vend dhe se është i vetëdijshëm për zhgënjimin e madh të qytetarëve.

Sipas ambasadorit Timonie, asgjë nuk ka përfunduar dhe se para është Samiti në Zagreb duke vënë theksin në obligimet që duhet t’i përmbushë Maqedonia e Veriut si shtet sa i përket integrimit të vendit në familjen evropiane, siç është miratimi i Ligjit për Prokurorinë Publike dhe realizmin e reformave në sistemin gjyqësor.

“Çështjet lidhur me ndjekjen e Gjyqësorit dhe të gjitha vështirësitë që janë me të, janë të rëndësisë thelbësore për ne”, ka thënë ambasadori Kristian Timonie.

Ai ka komentuar edhe qëndrimin e ish-ministrit të Jashtëm, Antonio Milloshovski, zyrtar i lartë i partisë maqedonase në opozitë, për të përditshmen gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitun” se shqyrtohen tri mundësi për të rivendosur emrin kushtetues, përkatësisht anulimin e ndryshimit të emrit në Maqedonia e Veriut duke e quajtur klinikisht të vdekur procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Sipas Timonie, ky qëndrim është shumë serioz, por fillimisht duhet kuptuar nëse kjo qasje është dhe qasje zyrtare e partisë që përfaqëson Milloshovski.

Nga ana tjetër, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Denko Malevski, për Radion Evropa e lirë thotë se mos-fillimi i bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, do të komplikojë në masë të caktuar dhe zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, ngase realizmi i një pjesë të konsiderueshme të kësaj marrëveshjeje, ndërlidhet me hapjen e kapitujve konkret të BE-së.

“Situata e krijuar me mos-fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e vendit në BE, hap më shumë dilema dhe krijon hapësirë që të problematizohen disa çështje që janë pjesë e Marrëveshjes së Prespës. Kjo do të thotë se është bërë dëm i madh me mos-fillimin e bisedimeve për integrimin e vendit në familjen evropiane”, thotë Malevski.