Tillerson në Turqi për marrëdhënien mes dy vendeve

E publikuar: 16/02/2018 17:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Turqia u ka propozuar Shteteve të Bashkuara që milicitë kurde YPG të tërhiqen në lindje të lumit Eufrat, në Siri dhe që forcat turke dhe ato amerikane të qëndrojnë së bashku në rajonin Manbij. Një zyrtar turk i tha agjensisë Reuters se propozimi i ishte paraqitur Sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, gjatë vizitës së tij dyditore në Ankara. Sekretari Tillerson u takua me homologun Cavusoglu për të biseduar rreth planeve të Uashingtonit për vazhdimin e asistencës për militantët kurdë.

Dy zyrtarët mbajtën një konferencë të përbashkët shtypi, gjatë së cilës zoti Tillerson foli për objektivat e përbashkëta në Siri.

“Dy vendet tona kanë të njëjtin objektiv në Siri: mundjen e ISIS-it, sigurimin dhe stabilizimin e rajonit, si dhe një Siri të pavarur dhe të bashkuar. E njohim të drejtën legjitime të Turqisë për të siguruar kufijtë e saj dhe i marrim shumë seriozisht shqetësimet e vendit tonë aleat në NATO. Për sa i përket Afrinit, i bëjmë thirrje Turqisë të tregojë vetëpërmbajtje në operacionet e saj duke minimizuar viktimat në radhët e civilëve dhe duke shmangur veprime që mund të rrisin tensionet në zonë”, deklaroi Sekretari Tillerson.

Turqia filloi një sulm tokësor dhe ajror muajin e kaluar në rajonin Afrin të Sirisë, për të larguar forcat kurde YPG prej pjesës jugore të kufirit.

Turqia është zemëruar prej mbështetjes së Uashingtonit për forcat YPG, të cilët kanë qenë aleatët kryesorë të SHBA-së në luftën kundër Shtetit Islamik.

Ankaraja e konsideron YPG-në si krahun e armatosur të PKK-së, e cila është shpallur e jashtëligjshme në Turqi, ndërsa vazhdon prej dekadash të rebelohet.

Ndërkohë, dhjetëra demonstrues u mblodhën tek godina ku po takoheshin diplomatët amerikanë dhe ata turq për të lehtësuar tensionet më të larta të para ndër vite mes dy vendeve aleate.

Njerëzit e mbledhur përjashta valëvisnin flamuj turq dhe protestuan kundër mbështetjes amerikane për milicitë kurde në Siri.