Tillerson, gatishmëri për bisedime me Phenianin

E publikuar: 14/12/2017 01:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sekretari i Shtetit Rex Tillerson foli me një ton të ndryshëm mbi Korenë e Veriut të martën, duke thënë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të zhvillojnë takimin e parë me Phenianin “pa parakushte”.

Por shefi i diplomacisë amerikane gjithashtu tha se duhet të ketë një periudhë të qetë, pa prova shtesë bërthamore dhe raketore, përpara se bisedimet të fillojnë seriozisht.

Sekretari i Shtetit Rex Tillerson duket se ka rigjallëruar shpresat për një zgjidhje diplomatike të tensioneve me Korenë e Veriun mbi programin e saj bërthamor dhe provat raketore gjatë një fjalimi në një forum mbi Korenë në Këshillin Atlantik në Uashington të martën.

“Ne jemi të gatshëm të flasim në çdo kohë që Koreja e Veriut do të dëshironte një gjë të tillë. Ne jemi të gatshëm të zhvillojmë takimin e parë pa parakushte. Le të takohemi dhe ne mund të flasim edhe për formën që duhet të ketë tryeza e bisedimeve, katrore apo e rrumbullakët, ose për çështje të tjera që ata duan të bisedojnë”, tha ai.

Koreja e Veriut ka kryer një sërë provash me raketa balistike muajt e fundit, duke përfshirë një në fund të nëntorit që Pheniani pretendon se tani mund të godasë të gjithë territorin e Shteteve të Bashkuara, duke rritur frikën për një përplasje të mundshme bërthamore me përmasa katastrofike në gadishullin Korean. Tillerson bëri të qartë se bisedimet mund të fillonin vetëm pasi të ndaleshin provat me raketa.

“Nëse ka ndonjë kusht për këtë gjë është fakti se do të jetë e vështirë për të folur, nëse në mes të bisedave tona vendosni të testoni një pajisje tjetër. Do të jetë e vështirë të flitet nëse në mes të bisedave tona, vendosni të bëni një provë tjetër. Pra, unë mendoj se ata e kuptojnë qartë se nëse ne do të flasim, duhet të kemi një periudhë të qetë”.

Pavarësisht nga preferencat e tij që ai e quan “presion paqësor”, Tillerson tha se sanksionet e ashpra dhe masat e tjera mund të jenë të suksesshme vetëm sepse se ushtria amerikane është plotësisht e gatshme të veprojë në rast se diplomacia dështon. Ai gjithashtu pranoi se Kina tashmë po ndërmerr hapa për t’u përgatitur për mundësinë e një hyrjeje masive të refugjatëve nga Koreja e Veriut në rast se do të ketë “paqëndrueshmëri” në Phenian.