T’i mbulosh të zezat me flamur

E publikuar: 29/11/2017 22:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Fjalime të zjarrta patriotike, premtime për bashkim shqiptarësh, valim flamujsh kuq e zi e përurim përmendoresh të heronjve. Gjithçka për festën e 28 Nëntorit. Çdo vit njësoj. Autorë – politikanët. Këndej e andej kufirit.

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe as sivjet. Presidentë, kryeministra, ministra e zëvendësministra marshuan drejt Korçës e Vlorës, për të dhënë edhe njëherë mesazhe të dëgjuara vite me radhë.

Pa pikë turpi, sërish përsëritën thuajse të njëjtat fraza, ndërkohë që në terren gjërat nuk kanë ndryshuar për të mirë. Përkundrazi, në disa fusha madje janë përkeqësuar.

Folën për bashkëpunim ekonomik, ndërkohë që shkëmbimet tregtare ndërmjet dy shteteve kanë njohur nivelet më të ulëta në pesë vjetët e fundit. Folën për eleminimin e barrierave doganore, ndërkohë që ende kompanitë kosovare nuk mund të eksportojnë pa telashe prodhimet e veta në tregun e Shqipërisë. Rastet e patates, miellit e pijeve tregojnë më së miri se sa pengesa ekzistojnë në praktikë, por që, po t’i dëgjosh politikanët, punët shkojnë vaj dhe nuk ka arsye për t’u ankuar. Por, realisht, agjenda e përbashkët ekonomike e shumëproklamuar ka ngecur dhe shkëmbimet tregtare nuk janë treguesi i vetëm që vë në pikëpyetje zbatimin e saj. Edhe investimet e ndërsjella janë në nivel tepër të ulët. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, vitin e kaluar investimet shqiptare në Kosovë ishin 28.6 milionë euro, ndërsa ato kosovare në Shqipëri jo më shumë se 6.4 milionë euro.

Por, këto shifra duket të mos thonë gjë për liderët e të dyja shteteve. E rëndësishme për ata është që dështimet në këtë aspekt t’i mbulojnë me flamurin kuq e zi. Me fjalime folklorike, premtime për bashkim shqiptarësh e përurim përmendoresh të heronjve. Me organizimin e mbledheve të përbashkëta të qeverive, thua se pa organizimin e tyre nuk mund të shkohet përpara. Thua se pa u takuar edhe njëherë nuk mund të zbatohen dhjetëra marrëveshje të nënshkruara, shumë nga të cilat nuk kanë filluar ende së zbatuari ose kanë mbetur në gjysmë. Për fajin e tyre, jo për gjë tjetër.

* * *

Ishte shumë tragjike, për ta konsideruar komike gjithë atë çfarë ndodhte në Korçë e Vlorë me rastin e festës. Ishin bërë bashkë dhe kuvendonin për t’i bërë bashkë edhe qytetarët udhëheqësit e dy shteteve, që nuk kanë shumë me çfarë të krenohen në rrugën e zhvillimit e të mirëqenies. Dy presidentë të dyshuar e të etiketuar për dallavere e të zeza të tjera. Dy kryeministra që udhëheqin dy shtete të dobëta, me probleme të mëdha që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, korrupsionin, krimin e organizuar e zhvillimin ekonimik. Ministra që kanë zënë vend në qeveri për arsye që shpesh nuk kanë të bëjnë fare me profesionalizmin. Të gjithë në përpjekje për t’i mbuluar dështimet e veta me flamurin kuq e zi. Gjithçka retorikë e kozmetikë.

Ndërkohë që ekzistojnë mundësi që ata të dëshmojnë, me veprime konkrete, se njëmend punojnë për qytetarët që i udhëheqin. Ta zëmë, në vend të fjalimeve boshe do të mund të përuronin ndonjë biznes që do t’i punësonte të paktën dhjetë persona. Kështu, sado në mënyrë simbolike, ata do të jepnin një shembull se vërtet kanë vullnet të punojnë, e jo vetëm të flasin kot.

Por, jo. Më lehtë e kanë të zënë në gojë Skënderbeun, Ismail Qemalin e të tjera figura si këto, më lehtë e kanë të bëjnë garë se cili po tingëllon më patriot se tjetri, sesa të bëjnë garë me ide, punë e përkushtim. Më lehtë e kanë të përurojnë shtatore heronjsh, sesa të përurojnë fabrika, rrugë, shkolla e spitale.

* * *

Dhe pas festës, pas patriotizmit folklorik të shpërndarë me shumicë gjithandej, të gjithë i kthehen realitetit. Një realitet i hidhur dhe fare pak shpresëdhënës se do të bëhet më mirë.

Kosovarët të izoluar, peng i keqqverisjes, pa perspektivë të qartë, të varfër e të mjerë. Shqiptarët andej kufirit, po ashtu, me damkën e qeverisjes së keqe dhe mungesës së mirëqenies, damkën e korrupsionit, drogës e krimit.

E dhimbshme të dëgjosh se për javë të tëra lajm kryesor bëhet emërimi “edhe i një” zëvendësministri në Qeverinë e Kosovës, edhe i një paraziti që do të gëzojë pushtet e privilegje si shkak i pazareve politike. Asnjë lajm për zhvillim ekonomik, punësim, luftim të korrupsionit, përparim në integrimet europiane.

E dhimbshme të shohësh liderët këndej e andej kufirit teksa me fjalën “bashkim” në gojë e flamurin kuq e zi në dorë përpiqen t’i fshehin dështimet, dallaveret, hajnitë e krimet e veta. Përpiqen t’i mbulojnë të zezat e veta.

Dhe, në këtë mënyrë, t’i dehin me folklor e fjalë koti qytetarët e shkretë, të cilët ende iu besojnë përrallave kuq e zi. Deri në nëntorin e ardhshëm. Deri në “bashkimin” e ardhshëm.