Thimonier: Franca mbështet Maqedoninë e V. në rrugën drejt BE-së

E publikuar: 07/07/2019 17:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Maqedonia e Veriut duhet të punojë me përkushtim rreth realizmit të reformave në sistemin e drejtësisë, në mënyrë që në muajin tetor, të pres që t’i caktohet data për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, tha për Radion Evropa e Lirë, ambasadori i Francës në Shkup, Christian Thimonier.

Ambasadori Thimonier ka theksuar se Franca nuk është ajo që e frenon caktimin e datës për fillimin e bisedimeve. Sipas tij, ky vendim varet kryekëput nga jetësimi i reformave në praktikë nga Maqedonia e Veriut, veçanërisht zbatimin e ligjeve që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, ku këtu përfshihet edhe definimi juridik i Prokurorisë Speciale Publike, me qëllim që ky institucion të vazhdojë hetimet lidhur me rastet korruptive.

“Realisht t’ju them që jemi në anën tuaj në atë rrugë. Është ajo kaptina e parë nga instruksionet e mia si ambasador, të punoj në afrimin e vendit, por në integrimet evropiane të këtij vendi. Nuk e dimë se sa do të zgjasë ajo rrugë dhe rruga aspak nuk është e thjeshtë, por për këtë çështje do të them se jemi të përcaktuar për të ndihmuar dhe ta lehtësojmë atë rrugë dhe vetëm duhet të përcaktojmë se cili është bilanci nga agjendat që ishin përcaktuar”, shprehet ambasadori Thimonier.

Ndërkohë, studentët e Fakulteti Juridik në kuadër të Universiteti të Evropës Juglindore në Tetovë, i kanë dorëzuar një letër ambasadorit të Francës dhe ambasadores së Gjermanisë në Shkup, letër që i është drejtuar presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelares gjermane, Angela Merkel, sepse siç kanë theksuar ata, pa ndihmën e BE-së, hapja e kapitujve 23 dhe 24 për Maqedoninë e Veriut, do të ecë shumë vështirë në rrugëtimin drejt familjes evropiane.

Bekim Nuhija, ligjërues i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, për Radion Evropa e Lirë thotë se pa ngritjen e kapaciteteve institucionale që garantojnë sundim të ligjit, nuk mund të ketë avancim në integrimet evropiane.

“Gjithçka varet nga ne, a duam të jemi pjesë e Bashkimit Evropian. Ajo që vërehet tani pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës për ndryshimin e emrit të shtetit, ka një synim të prerë për t’u kyçur vendi në Bashkimin Evropian dhe ajo që jep shpresë është vullneti i politikanëve. Por, kjo nuk mjafton nëse nuk punohet me përkushtim dhe pa bishtnuar realizmin e reformave të thella në sistemin e drejtësisë”, thotë Nuhija.

Ambasadori francez në Shkup Christian Thimonier njëherësh ka theksuar se nuk mund të thotë me saktësi se sa i gjatë do të jetë rrugëtimi i Maqedonisë së Veriut derisa shteti të bëhet pjesë e familjes evropiane, duke shtuar se vendi i tij është i orientuar të ndihmojë në këtë proces, megjithëse thekson se me rëndësi vendimtare do të jetë bilanci i realizmit të reformave të përcaktuara nga agjenda evropiane.

Ambasadori Thimonier nuk beson se mund të minohet Marrëveshja e Prespës, pavarësisht se një pjesë e zbatimit të saj ndërlidhet me fillimin bisedimeve me Bashkimin Evropian.

“Marrëveshja e Prespës së pari është gjendje shpirtërore, por dhe interesa. E, cilat janë interesat? Mendoj se të dy popujt mirë e kuptuan se cilat janë ato dhe marrëveshja realisht do të zbatohet nga të dy popujt. Në të kundërtën, nuk shikoj të ardhme të asaj marrëveshjeje. Mendoj që marrëveshja përputhet me realitetin e fortë, me afërsinë gjeografike, afërsinë kulturore, afërsinë ekonomike. Një pjesë e madhe e marrëveshjeve mbeten vetëm letra të vdekura për shkak se në to nuk ka interes real, mirëpo në këtë marrëveshje ka shumë interesa dhe të dy vendet e morën përsipër që të punojnë, për shkak se ajo pjesëz e drejtësisë që është e njohur dhe që është e mirë për të dyja palët aty (në Marrëveshjen e Prespës )”, theksoi ambasadori Thimonier.