Therja me thikë e asamblistit të LDK-së në Pejë për shkak të emërimit të një rruge

E publikuar: 01/03/2016 02:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Para “Shtëpisë së Mallrave” në Pejë, menjëherë pas takimit të Asamblesë Komunale është sulmuar me thikë asamblisti i LDK-së, në Pejë, Milazim Shala nga fshati Poçestë.

Ai është sulmuar nga një bashkëfshatarë i tij derisa ka qenë duke hyrë në veturën e tij.

Motivi i sulmit është emërtimi i një rruge afër shtëpisë së sulmuesit i cili ka qenë i pakënaqur me emrin e rrugës dhe për atë e ka fajësuar asamblistin. Kështu i ka thënë për Kohën Ditore, sekretari i Degës së LDK-së në Pejë dhe njëherësh zëdhënës i Komunës së Pejës, Engelbert Zefaj. Sipas tij, Shala ka pësuar lëndime serioze dhe në Spitalin e Pejës është intervenuar kirurgjikisht pasi nga goditja me thikë ka marrë lëndime në lukth.

Ndërkaq, Skënder Dreshaj, drejtor i Spitalit Rajonal të Pejës, ka treguar për Kohën Ditore se plaga e pacientit kishite qenë rreth 2 centimetra.

“E kemi pranuar një pacient me një therje në abdomen dhe është operuar menjëherë. Pacienti ka pas lëndim me thikë në lukth rreth dy centimetra plagë. Pas operimit gjendja e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë”, ka thënë Dreshaj.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media.
“Sot, rreth mesditës, në sheshin ‘Haxhi Zeka’ në Pejë shtetasi i Kosovës, M. Sh. nga Poçesta e Pejës, ka pësuar lëndime të rënda, nga goditja në pjesën e stomakut me një mjet të mprehtë (thikë) nga një person i dyshuar, i cili menjëherë është arratisur nga vendi i ngjarjes. Njësitë policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa viktima është dërguar për ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit Rajonal Pejë”, njoftoi Policia, përcjell koha.net.

Sipas të dhënave, ky i dyshuar në mënyrë tinëzare kishte nxjerrë thikën nga xhepi dhe e kishte goditur viktimën në stomak, me ç’rast i shkakton lëndime të rënda trupore. Viktima nga aty transportohet për në Spitalin Rajonal në Pejë, ku iu ka nënshtruar një operacioni të menjëhershëm dhe gjendja e viktimës, sipas vlerësimeve mjekësore, konsiderohet e rëndë, por jo me rrezik për jetë.

I dyshuari posa kryen veprën kishte ikur në drejtim të panjohur, mirëpo pas një ore ai është arrestuar. Atij i është konfiskuar mjeti me të cilin e ka kryer veprën.

I dyshuari M.K. me vendim të prokurorit të Shtetit është ndalur në paraburgim 48 orë për të vazhduar procedurat e mëtejme. /Zëri/