Themelohet Task-Forca e përbashkët në mes të Kosovës dhe së Maqedonisë së Veriut

E publikuar: 22/10/2019 16:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me qëllim të eliminimit të kërcënimeve të sigurisë, kanë nënshkruar Protokollin mbi themelimin e Task Forcës së Përbashkët.
Nënshkrimi i këtij Protokolli u bë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Rashit Qalaj dhe drejtori i Policisë së Maqedonisë së Veriut, z. Sasho Tasevki. Ky protokoll u nënshkrua në kuadër të marrëveshjes mes të dy qeverive për bashkëpunim policor.
Me këtë rast, ministri i Punëve të Brendshme, z. Ekrem Mustafa tha se nënshkrimi i këtij Protokolli në mes të dy vendeve është një vazhdimësi e bashkëpunimit shumë të mirë që Kosova dhe Maqedonia e kanë në fushën e sigurisë.
“Kosova dhe Maqedonia kontribuojnë në ngritjen e sigurisë, me qëllim të krijimit të një ambienti më të sigurt për rajonin. Të dy vendet po bëhen model i bashkëpunimit, i cili duhet të zgjerohet tutje në rrafshin e bashkëpunimit rajonal edhe me shtetet tjera”, theksoi ministri Mustafa.
Task-Forca e përbashkët ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit të drejtpërdrejt në mes të dy vendeve për të eliminuar rreziqet e ndryshme për rendin dhe sigurinë publike, luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe krimeve tej-kufitare./Infosot/