The Economist: Një mbështetje e çuditshme e Izraelit nga Serbia dhe Kosova

E publikuar: 10/09/2020 23:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Është e pazakontë që ngjarjet në dy pikat vazhdimisht problematike të botës – Ballkan dhe Lindje e Mesme – të gërshetohen, të paktën në mënyrë paqësore, shkruan “The Economist”.

Por, më 4 shtator, presidenti i SHBA-së, Donald Trump e telefonoi mikun e tij, Benyamin Netanyahun që t’i tregojë se kishte bindur udhëheqësin e Serbisë dhe të Kosovës – dikur pjesë të të njëjtit shtet, tani armiq të përbetuar – t’ia jepnin një përqafim të ngrohte Izraelit. Kosova dhe Izraeli, u tha ai, do ta njihnin njëra-tjetrën. Dhe, të dyja shtetet e Ballkanit, në shpërfillje të politikave të Bashkimit Evropian, pjesë të të cilit shpresojnë të bëhen, do ta njihnin Jerusalemin për kryeqytet të Izraelit.

Ishte kjo lëvizja e dytë e suksesshme për Trumpin dhe Netanyahun, pas marrëveshjes së muajit të kaluar midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe për raporte të plota diplomatike mes vete. Ron Dermer, ambasadori i Izraelit në Amerikë dhe njëri prej këshilltarëve më të afërt të Netanyahut, thuhet të ketë qenë prapa këtij suksesi.

Se si i shtyu Trumpi dy shtetet e Ballkanit që të ndërmarrin hapa të tillë është e paqartë. Kryeministri i Kosovës dhe presidenti serb ndodheshin në Shtëpinë e Bardhë për të nënshkruar një marrëveshje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, me gjithë zhgënjimin e BE-së, e cila edhe vetë po mundohet të arrijë marrëveshje mes tyre (Serbia nuk e njeh Kosovë). Zyrtarët shpresojnë se marrëveshja ekonomike do t’i fuqizojë investimet e jashtme në të dyja shtetet, mbase duke sjellë raporte me të ngrohta.

Marrëveshja mund të mos jetë ashtu si duket në shikim të parë. Hapja e ambasadave në Jerusalem nuk pritet të ndodhë para mesit të vitit 2021. Deri atëherë, Trumpit mund t’i duhet të largohet prej Shtëpisë së Bardhë. Dhe, pothuajse menjëherë pas firmosjes së marrëveshjes, disa burime serbe thonë se shteti i tyre mund të mos e zhvendosë ambasadën në Jerusalem nëse Izraeli e njeh Kosovën (gjë të cilën Izraeli ka hezituar ta bëjë, të mos i inkurajojë palestinezët). Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dukej disi i habitur, kur Trumpi bëri të ditur se Serbia do ta ndërmerrte veprimin.

“Kjo ka të bëjë më shumë me politikën amerikane, sesa me Ballkanin apo Lindjen e Mesme”, thotë Dahlia Scheindlin, eksperte izraelite rreth Ballkanit. “Trumpi po përballet me një mjedis kërcënues politik dhe synonte një spektakël të politikës së jashtme, diçka të cilën miku i tij Netanyahu di t’ia organizojë”, ka shtuar ajo./koha.net/