Thatësi në Gjilan, rezerva të ujit vetëm për një javë

E publikuar: 26/10/2019 20:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga 30 metra, sa ishte niveli i ujit në Pendën e Përlepnicës së Gjilanit, tani ka rënë në 16 metra

Liqeni i Përlepnicës në Gjilan po thahet.

Nga 30 metra sa ishte niveli i ujit tani këtu niveli ka rënë në 10 metra shkaku i mungesës së të reshurave.

Ata që furnizohen me ujë nga kjo pendë kanë rezerva të ujit vetëm edhe për një javë, raporton T7.

I shqetësuar për këtë gjendje, të mërkurën doli tek penda edhe drejtori i kompanisë Rajonale të Ujit “Hidromorava”, Muhamet Suliqi.

Ai thotë se tashmë kompania që e drejton së bashku me komunën i ka gjetur dy alternativa nga ku mendohet të sigurohet ujë.

Suliqi po ashtu thotë se Gjilani po përballet me mungesë të ujit që 20 vite.

E, sipas tij, për të zgjidhur këto telashe duhet investim i madh.

Ndërkohë, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, thotë se janë duke e pritur qeverinë e re për ndarjen e mjeteve financiare për zgjidhje afatmesme, sa i përket furnizimit me ujë.

Sipas Hazirit, tashmë është formuar një task-forcë dhe inspektorati është 24 orë në terren për t’i ndëshkuar keqpërdoruesit.

Gjatë verës që lamë pas, Haziri e ka shpallur situatën emergjente, derisa qytetarët e kësaj ane po përballen me reduktime të shumta të ujit.