Thaçi: Vlerat e luftës janë të paprekshme

E publikuar: 05/05/2019 17:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti Hashim Thaçi, me rastin e 5 majit – Ditës së Dëshmorëve, ka bërë homazhe te Pllaka Përkujtimore për Dëshmorët e Pejës dhe te shtatorja e Shkëlzen Hardinajt, si dhe ka marrë pjesë në Tubimin Përkujtimor në nderim të 183 dëshmorëve të Komunës së Pejës.

Thaçi ka thënë se si bartës të institucioneve të Republikës së Kosovës po nderojnë dhe respektojnë këtë ditë të rëndësishme dhe historike për kombin, “Ditën e Dëshmorëve”.

“Edhe pse kaluan 20 vite, çdo ditë e më tepër shihet se vlera e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është një vlerë e paprekshme, një vlerë që bashkon qytetarët pa dallim partie, ideologjie apo lokaliteti. Është vlera më sublime dhe e shenjtë e kombit tonë, shtetit tonë. Është një vlerë që e fuqizon çdo ditë e më tepër shtetin tonë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit u ka thënë familjeve dhe fëmijëve të dëshmorëve se duhet të ndjehen krenarë me familjarët dhe prindërit e tyre, ashtu sikurse ne që ndjehemi me bashkëluftëtarët tanë që dhanë gjithçka që Kosova të jetë e lirë, të jetë e pavarur dhe të lëvizë gradualisht drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkim Evropian.

“Jam i bindur se shteti ynë është në rrugë të drejtë. Ka vështirësi, ka pengesa, por jemi duke bërë punën më të mirë të mundshme. Prandaj, një gjë e di dhe jam i sigurt që do të ketë vetëm ditë më të mira dhe progres për shtetin e Kosovës në të gjitha rrafshet edhe në konsolidimin e vendit, edhe të afirmimit ndërkombëtar”, ka shtuar ai.

Presidenti ka theksuar se gjithmonë duhet të kujtojmë me krenari luftën që e kemi zhvilluar dhe çdo herë kur respektojmë ato vlera vetëm sa do të forcohemi edhe si shoqëri, edhe si shtet.

“Kujtojmë sot në të njëjtën kohë edhe gjenocidin që shteti i Serbisë ka kryer në Kosovë, që ka vrarë 13.500 civilë, ka kryer rreth 400 masakra anekënd Kosovës, rreth 20.000 dhunime kundër grave shqiptare, e që drejtësia ndërkombëtare ende nuk e ka thënë fjalën e vet dhe kemi të bëjmë me zero drejtësi”, ka pohuar presidenti Thaçi.

I pari i vendit ka thënë se angazhimi i fundit i Kongresit Amerikan, i mikut të madh të kombit tonë Eliot Engel, është një kontribut dhe angazhim i jashtëzakonshëm dhe historik për të vërtetën, për atë që ka ndodhur në Kosovë.

“Fjalët e kongresistit Engel dhe të gjithë të pranishmëve ishin edhe një stimulim i madh për ne të gjithë që të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi, të punojmë edhe më tepër për drejtësi”, ka theksuar ai.

Thaçi ka thënë se beson që Parlamenti i Kosovës në të ardhmen e afërt do ta nxjerrë edhe rezolutën për gjenocidin e Serbisë në Kosovë dhe të gjithë kryerësit e atyre krimeve do të ballafaqohen me drejtësinë.