Thaçi telefonatë me Presidentin Michel, Samiti i Zagrebit mesazh për Ballkanin Perëndimor

E publikuar: 06/05/2020 12:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka zhvilluar një telefonatë me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, në kuadër të përgatitjeve për Samitin e Zagrebit që do të mbahet sot pasdite, nën organizimin e Kroacisë si kryesuese e radhës të Bashkimit Evropian.

Thaçi dhe Michel, u pajtuan që BE-ja duhet të vazhdojë angazhimin për perspektivën e integrimit të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane dhe se mesazh pozitiv në këtë drejtim është edhe mbajtja e Samitit të Zagrebit.

Kreu i shtetit të Kosovës kërkoi që shtetet anëtare të BE-së të marrin sa më parë vendimin për liberalizim të vizave.

“Dy liderët u pajtuan se përkundër rrethanave të pandemisë së shkaktuar nga virusi COVID19, angazhimi për forcimin e demokracisë në Kosovë dhe garantimin e punës së institucioneve të pavarura është jetik. Po ashtu, nga të dy palët u theksua rëndësia e bashkëpunimit rajonal dhe koordinimit të BE-së me shtetet anëtare dhe aktorët tjerë që kanë rol në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë “- njofton komunikata e Zyrës së Presidentit të Kosovës.