Thaçi takon Falatkon e Kosnettin, thotë se lufta ndaj krimit të organizuar do të vazhdojë

E publikuar: 28/05/2019 17:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot U.D. Drejtoreshën e Zyrës për Çështje të Evropës Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Susan Falatko, e cila shoqërohej edhe nga ambasadori Philip Kosnett, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Tutje thuhet se Thaçi dhe Falatko biseduan për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe për sundimin e rendit dhe ligjit në Kosovë, transmeton Koha.net.

“Kosova është e përkushtuar për forcimin e fqinjësisë së mirë. Dialogu duhet të vazhdojë pa kushte, me një mbështetje konsensuale të të gjitha shteteve të Kuintit”, u shpreh Thaçi, duke theksuar se roli i SHBA-së është i pazëvendësueshëm.

Po ashtu, presidenti theksoi se lufta ndaj krimit të organizuar, kontrabandës dhe korrupsionit është permanente dhe ajo do të vazhdojë.

“Institucionet vendore para një viti kanë marrë kompetencat në fushën e sundimit të ligjit dhe tani kemi një dinamikë të shtuar”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në anën tjetër, drejtoresha Susan Falatko theksoi rëndësinë që Kosova të mbetet e përkushtuar në forcimin e sundimit të ligjit dhe në arritjen e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Ajo rikonfirmoi se SHBA-ja do të mbetet e përkushtuar në avancimin e interesave bilaterale dhe rajonale.