Thaçi takohet me Sekretarin për Çështje Ekonomike në MPJ të Greqisë

E publikuar: 06/11/2018 15:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur Ioannis Brachos, Sekretar Gjeneral për Çështje Ekonomike dhe Zhvillim në MPJ të Greqisë dhe Constantina Athanassiadou, udhëheqëse për çështje ekonomike në MPJ të Greqisë, me të cilët ka biseduar për bashkëpunimin në mes Kosovës dhe Greqisë, me theks të veçantë në bashkëpunimin ekonomik.

Thaçi u shpreh se Kosova e çmon qasjen konstruktive të Greqisë ndaj Kosovës dhe përkrahjen që po i jep në organizatat ndërkombëtare, transmeton Klam

“Kemi ndërtuar marrëdhënie të mira me Greqinë dhe po punojmë që këto të thellohen edhe më tutje”.

Kreu i shtetit ka mirëpritur edhe marrëveshjen në mes të Athinës dhe Shkupit rreth kontestit të emrit, duke shtuar se “ky është kontribut për stabilitetin në tërë rajonin e Ballkanit”.

Kurse, sekretari Brachos ka pohuar se Greqia sheh potencial në rritjen e shkëmbimit ekonomik në mes dy vendeve dhe “po kërkon mundësitë për thellim të bashkëpunimit dhe shkëmbimit ekonomik”.

Thaçi e mirëpriti angazhimin e sekretarit Brachos dhe theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për arritjen e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në Kosovë dhe rajon, të cilat do të mundësojnë që vëmendja dhe resurset të përqendrohen në zhvillim dhe bashkëpunim ekonomik.