Thaçi takohet me homologun e tij nga Singapori

E publikuar: 22/09/2017 13:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të javës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka takuar mbrëmë, në Nju Jork, Ministrin e Punëve të Jashtme të Singaporit, Vivian Balakrishnan, njofton Klan Kosova.

Kreu i shtetit shprehu mirënjohjen ndaj Singaporit për miqësinë dhe partneritetin e treguar ndaj Kosovës, për vendimin e qeverisë së këtij shteti për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën, si një fillim i një bashkëpunimi të suksesshëm.

“E përgëzova ministrin Balakrishnan për zgjedhjen e Presidentes së re të Singaporit, Halimah Yacob. Singapori është një model se si multi-kulturalizmi është një forcë e një shoqërie”, ka thënë presidenti Thaçi gjatë takimit me Ministrin e Jashtëm të Singaporit, duke shtuar se Kosova është e interesuar të zgjerojë bashkëpunimin dypalësh me Singaporin, veçanërisht në fushat e ekonomisë dhe tregtisë.