Thaçi: Takimi në Washington do të jetë për njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë

E publikuar: 16/06/2020 10:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti Hashim Thaçi, ka mbajtur konferencë për media pas caktimit të datës 27 qershor për takim në Washington mes Kosovës dhe Serbisë.

Thaçi ka thënë se Kosova e mirëpret ftesën e ShBA’së për këtë takim, raporton Gazeta Express.

“Siç edhe jeni të informuar, institucionet e Kosovës pas ftesës së ShBA’së, Presidentit Trump dhe ambasadorit  Richard Grenell për të vazhduar dialogun në Shtëpinë e Bardhë. E presim këtë vendim shumë të drejtë të SHBA’së, pasi që është koha që të lëvizim përpara konkretisht dhe për paqen në ballkanin perëndimor”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka thënë se për takimin në Shtëpinë e Bardhë, me këmbëngulësinë e ambasadorit Grenell dhe të mbështetjes së Presidentit Trump, ky proces do të ketë sukses.

“Qëndrimi i SHBA’së dhe ftesa për 27 qershor për takim në Shtëpinë e Bardhë, rritë shpresën dhe optimizmin që ky proces do të ketë sukses pasi që ky proces e ka mbështetjen e SHBA’së ,të vet Presidentit Trump si dhe këmbëngulësinë e ambasadorit Grenell. Kosova gjithmonë ka besuar në SHBA dhe ka dalur fitues”, ka thënë Thaçi.

Ai po ashtu ka thënë se ky proces do të zhvillohet për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ky proces është për njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Ky proces është për kosovën dhe gjithë qytetarët e saj të bashkuar dhe në partneritet me SHBA’në jam i bindur se do t’ia dalim me sukses. Kështu ka qenë edhe në Rambuje, kështu ka qenë edhe në Vjenë dhe jam i bindur se kështu do të jetë edhe në Washington. Kosova nuk ka kohë për të humbur e as për hezitim, sepse duhet të ecim para që të jemi në OKB dhe organizatat ndërkombëtare, këtë mund ta realizojmë vetëm në partneritet me SHBA’në, dhe vendet evropiane” , është shprehur Thaçi/GazetaExpress/