Thaçi s’mundet dhe s’duhet të jetë kandidat për president

E publikuar: 13/02/2016 13:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pse Thaçi s’mundet dhe s’duhet të jetë kandidat e assesi të zgjidhet për president të vendit? Figura e presidentit duhet të jetë unifikuese, koncensuale porsi presidenti Rugova që punoi për interes të popullit dhe të vendit e jo të jetë figurë denigruese, përçarëse e në shërbim të klaneve, grupeve të interesit dhe shërbimeve sekrete të vendeve të huaja. Një president që s’e do populli s’mund ta përfaqësojë atë.

Ja arsyet, të cilat tregojnë të kundërtën e kandidimit dhe zgjedhjes për president të vendit Hashim Thaçin

Unifikimi i faktorit ushtarak kishte për qëllim që të gjithë të bashkohemi rreth idealit të vetëm që kishim për çlirim nga armiku shekullor, pavarësim të vendit dhe zhvillimin demokratik. Për këtë kishim në bagazh Marrëveshjen apo bisedimet e Osllos, të zhvilluara më 22-23 maj 1998, në mes ministrit të Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi, dhe zëvendësministrit të tij, Agim Mehmeti, në njërën anë dhe Adem Demaçit e Xhavit Halitit në anën tjetër.

Të armatosur me këtë marrëveshje bëhen përgatitjet e kuadrit ushtarak, oficerëve të karrierës, logjistikës, caktohet lokacioni për vendosjen e Ministrisë së Mbrojtjes, qendrat stërvitore, formohen njësitet e para operative, Brigadat 131, 133 dhe 134 nën komandën e kol. Tahir Zemajt, caktohet kuadri komandues nëpër bërthamat e brigadave, bëhet betimi më 21 qershor 1998 në Papaj të Tropojës dhe përgatitjet për futjen në Kosovë.

Plani i marshimit në tri faza për t’u vendosur në Rrafshin e Dukagjinit sipas planit dhe urdhrit operativ të ministrit të Mbrojtjes, kol. Ahmet Krasniqit

Vështirësitë dhe pengesat që hasëm gjatë marshimit dhe hyrjes në territorin e Kosovës i harruam kur hasëm në mosmarrëveshje dhe dhënie të ultimatumeve që të kthehemi mbrapa kah kemi ardhur sepse s’ju njohim dhe s’e dimë se ushtri e kujt jeni, nëse nuk sistemoheni dhe veproni nën komandën tonë – na u tha shqip nga komandantët e vetëshpallur në Jasiq.

Ofensiva e gushtit të ‘98-s dhe drita jeshile që ju dha Millosheviqit shpartalluan organizimin e strukturave dhe formacioneve të UÇK-së, të cilat s’kishin organizim vertikal, por vetëm horizontal dhe në baza lokale, e posaçërisht pas debaklit dhe humbjeve të territoreve-fshatrave të tëra paraqitej nevoja që të bëhet riorganizimi dhe ristrukturimi i njësiteve si në kuadrin ushtarak, ashtu edhe në atë teknik-luftarak, në mënyrë që t’u përballojmë më lehtë sulmeve, konsolidojmë radhët dhe në një moment dhe kohë të volitshme të kalojmë në ofensivë fillimisht duke e pastruar brezin kufitar me qëllim për t’i shndërruar kuajt në kamionë (maune), për të forcuar e siguruar prapavijën për t’i mundësuar logjistikës që ta kryejë detyrën me përgjegjësi të lartë dhe të furnizojë forcat tona me teknikë ushtarake dhe luftarake.

Takimi i parë në gusht të 1998-s me Hashim Thaçin dhe përfaqësuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, “shokët” siç thoshin ata persona, të cilët nuk kishin kryer shkolla ushtarake përveç një rreshteri që kishin në shtabin e tyre me shkollë të mesme ushtarake.

Pas marrëveshjes sonë të 20-21 gushtit për formimin e SHORRD-it, shtabit operativ të Rrafshit të Dukagjinit, unë isha në cilësinë e kryeshefit të atij Shtabi, ku kërkohej dhe nevojitej që të jem në komandën e Prapaqanit për të përpiluar dhe hartuar dokumentacionin përkatës sipas urdhrave dhe komandave të Tahir Zemajt.

Kohë pas kohe vizitoja Brigadën 131 në Baran, ku kryes detyre të komandantit të Brigadës kisha lënë zëvendësin tim Esat Ademajn.

Pas mbarimit të punëve në Prapaqan vendosa që të udhëtoj për në Baran, por me të mbërritur deri te xhamia e fshatit vërejta pas veturës sonë se dikush është duke na sinjalizuar për t’u ndalur. Pas ndalesës sonë u ofrua Rexh Osaj duke mu drejtuar: “Komandant Ramabaja duheni menjëherë të ktheheni në Prapaqan me urdhër të komandantit Tahir Zemaj”. Unë s’kisha të qartë se çka ka ndodhur dhe isha tejet i shqetësuar duke ju drejtuar pse çka ka ndodhur me Tahirin, Rexha më tha: “Jo, asgjë vetëm se kanë ardhur ata të Shtabit të Përgjithshëm dhe komandanti Zemaj më dërgoi të them të kthehesh menjëherë, sepse duhesh të jesh prezent në biseda, që do të zhvillohen mes tyre”.

Personat, të cilët ishin paraqitur si përfaqësues të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, kishin shfaqur dëshirë të takonin komandant Tahir Zemajn dhe ai i kishte pranuar. Ata ju kishin prezantuar si “Shtab i Përgjithshëm” i Ushtrisë Çlirimtare.

Kishim dëgjuar më parë për ta, por nuk dinim se si ishin të organizuar, etj. Në përbërje të këtij grupi ishin: Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Bislim Zyrapi – rreshteri, Lahi Ibrahimaj, etj.

Pasi kishin hyrë në zyrën e komandantit Tahir Zemaj, ish-zyra e drejtorit të shkollës së Prapaqanit, në mur kanë qenë të varura fotografitë e Skënderbeut, të presidentit Rugova dhe fotografia e Jusuf Gërvallës. Sapo kanë hyrë kanë kërkuar që të hiqej fotografia e Rugovës. “Ke dy minuta kohë për ta hequr portretin e Rugovës!”, kanë thanë personat e ardhur, “Jo”, u kishte thënë komandant Tahir Zemaj dhe vazhdoi: “ai është dhe mbetet për mua Komandant Suprem i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës dhe president i saj!”.

Më vonë “ata” ishin tërhequr nga ai qëndrim dhe vazhdimi i bisedimeve kishte ndodhur diku tjetër, në sallën operative të Shtabit.

Fillimisht kanë kërkuar se përse në gjithë dokumentacionin tonë figuronte Republika e Kosovës?
Pas kthimit mbrapa unë hyra në sallën operative, ku u inkuadrova në bisedime duke dëgjuar Rexhep Selimin (Dhjetëshin) duke diskutuar dhe treguar rolin e tyre dhe se si UÇK-ja është ushtri e popullit. Pasi s´kisha kurrfarë ideje se kush ishte ai ju drejtova me një pyetje: “Më thuaj se a je oficer dhe nëse po çfarë drejtimi të Akademisë Ushtarake ke të kryer sepse unë njoh gjeneratën time dhe katër gjenerata para dhe pas meje dhe s’më kujtohet figura jote se e kam takuar diku”.
“Unë jam Rexhep Selimi, inspektor gjeneral i UÇK-së, s’kam të kryer akademi ushtarake, por kam studiuar Shkollën e Lartë të Gjuhës dhe Letërsisë”.

Pas këtij takimi këta persona deklaruan se do ta shqyrtonin me organet e tyre ndryshimin e komandës në SHORRD dhe se në fakt nuk ishin dakord me këto ndryshime, ndërsa ne u bëmë me dije se ky është vullnet i përfaqësuesve të shtabeve lokale të 72 fshatrave dhe ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës kol. Ahmet Krasniqit, pas ofensivës së forcave serbe dhe humbjet që ishin evidente në Rrafshin e Dukagjinit dhe pëlqimit të Ramush Haradinajt se nëse ka nevojë edhe si ushtar i thjeshtë do të shkojë pas Tahir Zemajt.

Takimi i dytë me Hashim Thaçin në prezencë të komandantit Tahir Zemaj në gjashtë sy, takim konstruktiv, por jo edhe frytdhënës

Një ditë në fund të gushtit kishte ardhur Hashim Thaçi në cilësinë e përfaqësuesit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për themelimin e Zonës së Tretë Operative të Rrafshit të Dukagjinit nën udhëheqjen e komandant Tahir Zemajt.

Thaçi në këtë takim kërkoi që të gjithë të hynin nën komandën e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, komandant i të cilit Shtab nuk dihej se kush është dhe mbahej sekret apo nuk ekzistonte fare në atë kohë.

UÇK-ja, gjithnjë sipas Thaçit, është ushtri e popullit dhe punon e lufton për popull, në këtë kam ndërhyrë në bisedë duke u prezantuar se quhem Nazif Ramabaja, jam ushtarak i karrierës me akademi ushtarake, drejtimi i Artilerisë dhe ne më së miri e dimë se çfarë potenciali ushtarak, material dhe njerëzor posedon armiku dhe kur është fjala për ushtrinë e popullit kam një pyetje: A keni kërkuar ndihmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe nga e merrni gjithë ndihmën financiare për UÇK-në?

Përgjigjja e Thaçit ishte se ne kemi kërkuar nga Bukoshi që të na ndihmojë me mjete financiare, por ai s’e ka bërë një gjë të tillë dhe ne kemi qenë të detyruar t’i drejtohemi dikujt tjetër – Fondit “Vendlindja Thërret” dhe tërë financimin e kemi prej tyre.
Në vazhdim të bisedës ia bëra të ditur se unë vij nga Skandinavia dhe njoh gati të gjithë kryetarët e fondeve “Vendlindja Thërret” në Evropë dhe se ata janë anëtarë të Lëvizjes Popullore dhe sipas kësaj UÇK-ja s’po del se s’është ushtri e popullit, por e Lëvizjes Popullore. Një proverb popullor thotë se ku ngec aty edhe duhesh ta bësh konakun, kështu që nga vjen financimi aty edhe duhesh të raportosh dhe të japësh llogari.

Thaçi prapë insistoi se UÇK-ja është ushtri e popullit dhe se kanë qenë të detyruar t’ia bëjnë një kërkesë të tillë Fondit “Vendlindja Thërret”dhe me këtë fillova t’ia shpjegoj se potencialin që ka armiku në teknikë luftarake dhe faktorin njeri tejkalon organizimin momental të UÇK-së dhe se ne kemi ardhur për t’u kyçur në luftë dhe për të bërë ristrukturimin e saj me shtabet territoriale me të vetmin qëllim për t’i aftësuar njësitë në terrene dhe për t’i plotësuar me kuadër ushtarak, profesional për kalimin në luftë frontale dhe çlirimin pjesë-pjesë të territorit të okupuar, duke filluar nga brezi kufitar me shtetin amë.
Në një moment mu drejtua Thaçi me këto fjalë: “Baci Nazif, unë për ushtri s’mundem të bisedoj me ty sepse ti je profesionalist dhe i di shumë më mirë gjërat ushtarake, por ne po kërkojmë të hyni nën komandën tonë dhe asgjë tjetër”.

Pas këtyre bisedave komandant Tahiri merr në telefon kol. Ahmet Krasniqin dhe e njofton për qëndrimin e Thaçit në komandën e Prapaqanit e sidomos për kërkesën e tij. Kol. Ahmet Krasniqi, ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, kërkon që të bisedojë me Thaçin, duke ia bërë të ditur se e di mirë se çka kemi biseduar në Tiranë dhe këmbëngul që Thaçi t’ju përmbahet atyre bisedave.

Thaçi ishte konstruktiv duke i thënë Ahmet Krasniqit: “Po bacë do ta rregullojmë, do të shohim se çka do të bëjmë”, dhe kështu mbaruan bisedat në këtë takim pa ndonjë rezultat konkret.

Takimi i tretë me Hashim Thaçin dhe përfaqësuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, më 1 shtator 1998, në fshatin Bardhaniq – shkolla e fshatit

Ishe një takim, i cili shkaktoi neveri dhe përfundimisht u shuan pritjet për konsolidimin e forcave që vepronin në terren dhe ristrukturimin e tyre për shkak të kryeneçësisë dhe kërkesës së atyre, të cilët thoshin shokët kanë thënë dhe kanë vendosur – pa u thirrur në emra dhe pozita, por që emrin e përbashkët kishin Shtabin e Përgjithshëm dhe UÇK-në e në emër të tyre një grusht njerëzish merrnin guximin dhe përgjegjësinë të thirren edhe në emër të popullit. Popullizmi si fenomen ishte më shumë se kurrë më parë i përhapur nga këta individë.

Në këtë takim përveç Hashim Thaçit (Gjarprit) ishin edhe Rexhep Selimi (Dhjetëshi), Idriz Zyrapi (Rreshteri), Ramush Haradinaj (Smajli), Binak Gashi (Breshka), Lahi Ibrahimaj, etj.

Që në fillim Rexhep Selimi, në cilësinë e inspektorit gjeneral të UÇK-së, kumtoi se Shtabi i Përgjithshëm ka marrë vendim që ta anulojë marrëveshjen e 20-21 gushtit dhe ta riemërojë Ramush Haradinajn komandant të ZORRD-it dhe disa emërime të tjera, një ndër ta edhe dy emërime të nënshkruara nga vetë Rexhep Selimi për sistemimin e Tahir Zemajt dhe timin në mënyrë që më lehtë dhe pa vështirësi ta bëjnë shkatërrimin e njësive operative.

Me këtë vendim plotësisht dha pëlqimin Ramush Haradinaj sepse tani atij s’i interesonte organizimi i UÇK-së dhe ristrukturimi i tyre në vijën vertikale dhe horizontale dhe subordinimi i tyre, por pozita e komandantit të ZORRD-it me këtë i bëri dëm të paparashikueshëm Dukagjinit dhe tërë Kosovës, pasojat e së cilës tash e 18 vjet po duken qartazi.

Në një moment u dëgjua diskutimi i Binak Gashit (Breshka) duke thënë: “Ne s’i besojmë Ahmet Krasniqit sepse ai e ka gruan shkinë dhe e dimë se çka ka bërë në Kroaci, për këtë ne do ta vrasim Ahmet Krasniqin”. Pak më lart ishin duke biseduar me kol. Ahmet Krasniqin komandant Tahir Zemaj dhe Hashim Thaçi nëpërmes telefonit satelitor, duke ia kujtuar Thaçit bisedën që e kanë zhvilluar në Tiranë dhe se oficerët e Ministrisë së Mbrojtjes kanë një komandë, së cilës i përgjigjen dhe i japin llogari dhe se oficerët e Ministrisë së Mbrojtjes s’janë patate t’i mbjellin dikush ku të dojë dhe si të dojë. Pas kësaj Hashim Thaçi i thotë ministrit Ahmet Krasniqit me një ton kërcënues: “Shumë shpejt do ta kryej misionin me ty”. Pastaj pason mbyllja e telefonit nga ana e tyre, duke ju drejtuar Tahir Zemajt drejtpërsëdrejti nga ana e Thaçit. Hashim Thaçi: “Do të luftoj me ty Tahir Zemaj si me shka, me ty dhe me njësitë tua!”. “Pushka top t’u bëftë”, i thotë Tahiri Hashimit.

Tri javë pasi u vra ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, kol. Ahmet Krasniqi, në mes të Tiranës nga dora e zezë e SHIK-ut dhe bandat e Fatos Nanos e Klosit sipas Marrëveshjes së Kretës dhe Zürihut me ndihmën e argatëve të atyre lëvizjeve të ndryshme nga Kosova dhe diaspora, ndërsa Thaçi kishte qëndruar një natë më parë në Tiranë shtrohet pyetja: Në banesën e kujt bëri natën dhe çfarë misioni kishte për të kryer, a di për këtë diçka Ibrahim Kelmendi?

Oficerët profesionistë s’kanë mundur të hyjnë assesi nën komandën e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në të cilin nuk dihej se kush është komandant dhe nga kush merreshin urdhrat për zbatimin e tyre, për këtë arsye edhe ky takim përfundoi pa ndonjë marrëveshje dhe sukses në të ardhmen falë personave, të cilët u thirreshin në emër të shokëve dhe që përfaqësonin një Shtab të Përgjithshëm të UÇK-së e që në fakt për ne ishte kontestues sepse nuk dinim se kush e ka emëruar dhe kush e udhëhiqte këtë Shtab joekzistues.

Takimi i katërt me Hashim Thaçin dhe përfaqësuesit – “shokët”, siç thoshin ata të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së

Një ditë para se ta bëjnë sulmin e furishëm forcat policoro-ushtarake dhe paramilitaro-mercenare serbo-ruse në Lugun e Baranit, konkretisht më 07.09.1998, kishim pasur një takim te mulliri i Broliqit: përfaqësuesit e Shtabit të Përgjithshëm Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Bislim Zyrapi dhe Ramush Haradinaj, i cili deri në atë kohë ishte nën komandën e Tahir Zemajt dhe disa të tjerë në njërën anë dhe eprorët e njësiteve operative të Brigadave 131, 133 dhe 134, major Nazif Ramabaja, Fadil Hadergjonaj, Musa Gjakova prezentë në këtë takim, mungonte komandanti Tahir Zemaj sepse kishim marrë informacione se diçka e keqe ishte duke u përgatitur dhe mua më autorizoi që t’i kryesoj ato bisedime në emër të tij.

Pas shumë tentimeve dhe paraqitjes para tyre të shumë shkresave, të cilat i kishin dërguar komandantët e shtabeve rajonale, duke kërkuar me këmbëngulësi që Tahir Zemaj të na udhëheqë me luftën në Rrafshin e Dukagjinit, të cilat shkresa m’i kishte dorëzuar Tahiri për t’ua treguar personave të lartpërmendur nga Shtabi i Përgjithshëm.

Këto kërkesa s’u morën parasysh nga komandosat sepse ata kishin vetëm një qëllim të caktuar dhe se s’bëhej fjalë për një përgatitje luftarake se si t’i kundërpërgjigjemi armikut në ofensivën e ndërmarrë, ballafaqimit me të dhe ndalimin e sulmit të furishëm, por kush nën komandën e kujt të hyjë, paraqita mendimin tim të bazuar në bazë të përgjimeve dhe informatave që kishim marrë nga komanda e Brigadës 131 në Baran për një sulm të furishëm që do të pasojë të nesërmen sepse kishim përgjuar përgatitjet e forcave serbe nëpërmes motorollës, të cilën e kishim marrë në luftë në Betejën e Loxhës.

Pasi Hashim Thaçi ia lëshoi një sy kërkesave të shtabeve lokale për të shkuar pas Tahir Zemajt dhe ai duhet udhëhequr SHORRD-in, në një moment Thaçi ra në letrën që kishte dërguar shtabi “Iliria” i Sverkes së Gashit nëpërmes komandës së Brigadës 131 të Lugut të Baranit autorit të këtyre rreshtave për ta përcjellë deri te komandanti Tahir Zemaj për kërcënimet që kishin bërë Thaçi e Rexhep Selimi gjatë vizitës në Shtab:

Deklarimi në Shtabin e Sverkes së Gashit nga ana e Thaçit: “Ne (Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së) do ta ndërpremë luftën me forcat e Millosheviqit dhe do ta luftojmë Fadil Gashin me të tjerë derisa t’i çarmatosim këta rugovista, pastaj do t’i kthehemi shkaut, ne nuk njohim president, qeveri e as parlament përveç Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së”.

Pasi këta të Shtabit të Përgjithshëm s’ishin të interesuar për sulmin që do të pasojë ju thashë se po qe se nuk organizohemi dhe përgatitemi mirë për ta mbrojtur Lugun e Baranit nesër kanë për t’u ngjitur tanket serbe në maje të Jabllanicës – Shqiponjës dhe mendimi im është që këtë assesi mos ta lejojmë e jo të humbim kohë kot se kush nën komandën e kujt të hyjë sepse po qe se tanket serbe marrin ato pozicione strategjike tërë Lugun e Baranit e vëzhgojnë si në shuplakë të dorës dhe vështirë do ta kem ta mbrojmë popullatën civile të kësaj treve.

Pas këtij takimi u shpërndamë të dezorganizuar, megjithatë sulmi i forcave policoro-ushtarake dhe paramilitaro-mercenare serbe filloi më 8 shtator në orët e hershme të mëngjesit me granatime, edhe me aviacionin luftarak, helikopter “MI-8” dhe avion, të cilat ishin të natyrës së tillë duke përdorur tërë arsenalin luftarak që kishte në dispozicion armiku. Deri edhe gjuajtësit raketorë shumëtytëshe të tipit “Orkan”, të stacionuar te Kroni i Mbretit, i kishin shtënë në përdorim në këtë sulm.

Komanda e Brigadës 131 me gjithë personelin, ushtarët dhe teknikën ushtarake bëri mbylljen e aksit rrugor Këpuz-Nepole-Gllogjan, duke u përqendruar në Kosuriq, ndaluam depërtimin e mëtutjeshëm të forcave serbe duke kërkuar ndihmë nga komandanti Tahir Zemaj, i cili personalisht erdhi me një batalion dhe Fadil Hadergjonajn dhe në këtë mënyrë forcat serbe ndërruan drejtimin e sulmit duke sulmuar rreth lumit Bistricë në drejtim të fshatrave të Lugut të Baranit.

Këto ishin disa nga arsyet pse Thaçi s’duhet të figurojë si kandidat e assesi të votohet për kryetar të Shtetit dhe se përveç këtyre ekzistojnë edhe 1001 arsye të tjera. Prandaj, vendimi do të jetë i deputetëve të Kuvendit të zgjedhur nga vota e popullit, të cilët duhet të rezonojnë, të vlerësojnë dhe të votojnë në mënyrë autonome, të pavarur dhe me këtë do ta përmbushin obligimin kundrejt atyre që ua dhanë besimin. Në të kundërtën do të ndëshkohen po nga të njëjtit në një të ardhme të afërt.

Presidenti duhet të zgjidhet me konsensus ose drejtpërsëdrejti nga zgjedhësit, elektorati dhe të jetë figurë unifikuese e jo denigruese, dinake, shaj e përçaj, e cila i bën dëm shtetit dhe shoqërisë në përgjithësi. E nëse marrëveshjet duhen respektuar, në këtë kontest PDK-së t’i jepet mundësia të kandidojë për postin e kryetarit duke e zëvendësuar me një kandidat tjetër në vend të Thaçit.

Një president, i cili s’e ka përkrahjen e shumicës dërrmuese të popullatës, të elektoratit, s’do ta ketë kurrë as përkrahjen time e sidomos jo personi kontrovers Hashim Thaçi, i cili njihet me dinakërinë e tij. “Gjarpri s’i tregon kurrë këmbët”, po sa të “marrë” postin e presidentit do t’i inskenojë zgjedhjet e parakohshme, kështu vendi në këtë apo në atë mënyrë do të hyjë në fushatë elektorale e kjo do të ishte më mirë pa Thaçin president se me të./zeri/