Thaçi s’mund të bëjë bashkë as partitë në pushtet për ekip negociator me Serbinë

E publikuar: 12/07/2018 19:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dialogu me Serbinë ka mbledhur të enjten në mëngjes krerët e shtetit.

Presidenti Thaçi ishte nikoqir i takimit me kryeparlamentarin Veseli e kryeministrin Haradinaj.

Për fazën e fundit të dialogut me Serbinë, Kosova ka formuar ekip negociator, raporton KTV.

Presidenti, kryeparlamentari, kryeministri dhe përfaqësues të partive politike në koalicion, do të jenë pjesë e këtij ekipi.

Thaçi edhe një herë tjetër, ka kërkuar mbështetjen e opozitës për dialogun.

Presidenti ka thënë se në takimin e radhës me presidentin Vuçiq më 18 korrik, do të diskutohet për orientimin e vijave të përgjithshme dhe dinamikën e fazës së fundit të dialogut.

Për takimin e zhvilluar te presidenti, ka folur edhe kryeministri Haradinaj, i cili ka theksuar se do të jetë pjesë e ekipit të dialogut.

Haradinaj ka ftuar partitë opozitare që të bëhen pjesë e këtij procesi.

Rreth përfshirjes së tij në ekipin negociator, gjatë ditës nuk është deklaruar vetëm kryeparlamentari, Kadri Veseli.

Kurse, zyrtarë të Nismës Socialdemokrate, pjesë e koalicionit qeverisës, i kanë thënë KTV-së se nuk janë në dijeni se është formuar ekipi negociator për dialogun.

LDK-ja dhe Vetëvendosje janë kundër që Thaçi të jetë prijës i këtij procesi.