Thaçi: Skenat në Mushtisht, të papranueshme, drejtësia të flasë për të gjithë

E publikuar: 28/08/2016 18:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se janë të papranueshme skenat që janë parë të dielën në fshatin Mushtisht dhe ka bërë thirrje që të respektohet e drejta e secilit që të kthehet në pronat e veta.

Janë krejtësisht të panevojshme dhe të papranueshme skenat nga fshati Mushtisht, është shprehur presidenti Thaçi, i cili ka shtuar se këto veprime nuk janë as në interes të Kosovës dhe të qytetarëve të saj.

Ai ka përsëritur se është e drejtë e secilit që të kthehet në pronën e tij dhe në vendin e tij të origjinës.

I pari i vendit ka thënë se të gjithë kanë të drejtë të kthehen në vendin e tyre të origjinës, në pronën e tyre. “

“Kjo vlen për çdo qytetar të Kosovës, pa dallim etnie”, tha presidenti Thaçi, duke bërë thirrje që të gjithë të respektojnë këtë të drejtë,shkruan Lajmi.net.

“Çështja e të zhdukurve, e të zhvendosurve, e pronave të uzurpuara janë plagë të hapura nga lufta. Duhet t’i mbyllim sa më parë këto plagë dhe të kthehemi nga e ardhmja”, ka thënë presidenti Thaçi, i cili theksoi se e ardhmja është në paqe, dialog dhe bashkëpunim.

Duke shtuar se dhuna nuk ka vend në Kosovën e re, presidenti Thaçi përfundoi se drejtësia do të merret me të gjithë ata që kanë kryer krime në të kaluarën.

“Drejtësia është kusht për pajtim të sinqertë dhe për ndërtimin e Kosovës multietnike”.