Thaçi: Sfida e vetme e Kosovës mbetet çështja e Demarkacionit

E publikuar: 20/02/2017 13:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se sfida e vetme për çështjen e liberalizimit të vizave, mbetet Demarkacioni i Kosovës me Malin e Zi.
Sipas tij, Kosova duhet të përfundojë Demarkacionin që pjesën e liberalizimit të vizave t’ia lërë Bashkimit Europian, njofton Klan Kosova.

“Kosova duhet ta përfundojë Demarkacionin dhe BE pastaj do ta përfundojë çështjen e liberalizimit të vizave. Sfida e vetme mbetet kjo”, ka thënë Thaçi.

Këto deklarime Presidenti Thaçi i bëri në Samitin e Komisioneve për Punë të Jashtme që po mbahet në Kosovë.

”Qytetarët e Kosovës në bazë të sondazheve janë qytetarët më evropianë në rajon”.

”Kjo na bën të ndihemi më krenar si një lidership i vendit dhe për institucionet e Kosovës. Këtë frymë evropiane më së shumti dhe më së miri e kultivojnë gjeneratat e reja. Ne kemi rini, sportistë, njerëz të kulturës e të artit që na bëjnë të ndihemi krenarë”.

”Në Kosovë ka një unitet të plotë sa i përket të ardhmes evropiane, qoftë nga të moshuarit qoftë nga të rinjtë. Për liberalizimin e vizave, zëri më kritik janë rinia”.

”Njerëzit dhe rinia ndjehen të ofenduar në pamundësi udhëtimi në zonat schengen, në pamundësi për studime jashtë vendit. Fillova një kampanjë me vizitat e mia jashtë vendit për të arritur një vendim për liberalizimin e vizave”.

Presidenti Thaçi po ashtu foli edhe për BREXIT-in i cili tha se Europa është duke ndryshuar, derisa theksoi se Bashkimi Europian pa Britaninë ka më pak vizion, njofton Klan Kosova.

”Bota po ndryshon, Europa po ndryshon, Bashkimi Europian pa Britaninë ka më pak kuptim, më pak vizion dhe më pak substancë”.

”Kosova do ta ruajë partneritetin strategjik me Britaninë e Madhe sikurse me SHBA-të”.

”Shtytjen më të madhe për angazhimin tonë evropian e kemi rininë tonë. Por sa më vonesë të ketë Bashkimi Europian aq më shumë skepticizmi do të rritet”.

”Ftoj Bashkimin Europian, që Ballkanin Perëndimor ta shikojë në rrafshin strategjik e jo procedural”, ka përfunduar Thaçi.