Thaçi, BE-së: Qasja juaj është diskriminuese!

E publikuar: 28/10/2016 11:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbledhur sot Këshillin Kombëtar për Integrim Evropian, ndërsa në këtë mbledhje kërkoi që t’i kushtohet vëmendje e veçantë përfundimit sa më të shpejtë të procesit për liberalizimin e vizave.

Ai ka thënë se është e pajustifikueshme gjendja ekzistuese në të cilën qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë të privuar nga e drejta për të lëvizur pa viza në vendet e Bashkimit Evropian, respektivisht në Zonën Schengen.

“Qysh në fillim të dialogut për liberalizimin e vizave jemi ballafaquar me një qasje ndryshe nga Komisioni Evropian në raport me Kosovën, sepse na është kërkuar të zbatojmë dyfish më shumë kritere se vendet tjera të rajonit dhe një metodologji rigoroze të vlerësimit. Por, Kosova si asnjë vend tjetër në rajon ka zbatuar të gjitha kriteret e kërkuara”, ka thënë ai.

 Sipas tij, ky ka qenë realiteti dhe duhet përballur me të.

“Ne jemi të zgjedhur dhe kemi përgjegjësi kushtetuese dhe morale para qytetarëve tanë të zgjidhim problem”, ka thënë ai.

Sado e padrejtë të konsiderohet kjo qasje e Bashkimit Evropian në raport me Kosovën,  sipas Thaçit, e vërteta është që vendimi nga institucionet e BE-së për liberalizimin e vizave është peng i përmbylljes së ratifikimit të Marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi por dhe demonstrimin e rezultateve bindëse në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Thaçi e konsideroi krejtësisht jo të drejtë këtë qasje të Bashkimit Evropian.

 “Sa i përket Marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi nuk besoj se kemi nevoje që ta diskutojmë në detaje.  Për mua nuk ka asnjë dilemë se është marrëveshje e drejtë, e ndërtuar mbi bazë kushtetuese dhe ligjore, dhe në funksion të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.  Pengesat dhe vonesat që po ndodhin në këtë proces janë të natyrës politike dhe vetëm se janë duke e dëmtuar interesin e vendit dhe të qytetarëve. Prandaj, si President i vendit inkurajoj institucionet e vendit dhe partitë politike të tejkalojnë dallimet dhe të marrin vendimet e duhura.  Askush nuk ka legjitimitet qytetar dhe kapital politik për të devijuar rrugën tonë evropiane”, ka thënë Thaçi.

“Këmbëngulja e BE-së dhe kushtëzimi i liberalizimit të vizave me ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion është plotësisht i padrejtë”, ka shtuar ai.

Sipas presidentit Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës tashmë ka arritur marrëveshje për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi dhe ky kriter mund të konsiderohet i përmbushur nëse i referohemi udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave të vitit 2012.

“Unë pyes përfaqësuesit e BE-së dhe ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së, se sa kufij shtetëror i kanë shënuar dhe ratifikuar shtetet e rajonit, duke filluar nga Serbia, Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina përpara se BE të merr vendimin për liberalizimin e vizave?”, ka pyetur Thaçi.

“Cilët janë ata kufij? Nuk ka edhe një të vetëm”, ka thënë ai.

Një përgjigje e zakonshme që e dëgjojmë vazhdimisht në raste të tilla, sipas presidentit Thaçi,është se BE nxjerr mësime nga përvojat dhe gabimet e mëparshme.

Por, fatkeqësisht as ky argument nuk qëndron fare, ka thënë presidenti Thaçi, sepse brenda disa javëve, për qytetaret e Gjeorgjisë dhe Ukrainës, Parlamenti i Bashkimit Evropian dhe Këshilli i BE-së do të vendos për heqjen e vizave.

Dhe përsëri, presidenti Thaçi ka pyetur: Cilët kufij shtetëror i kanë shënuar këto dy shtete për të cilat BE me entuziazëm pritet të merr vendim për heqjen e vizave?

Për të mos u keqkuptuar, Thaçi ka thënë se Kosova i gëzohet çdo vendimi për heqjen e vizave për qytetarët e së cilit shtet, por nuk pranon të diskriminohet në mënyrë të hapur dhe turpëruese nga BE.