Thaçi: Rezoluta e PE-së, thirrje për vendet e BE-së që të hiqen vizat për Kosovën

E publikuar: 29/11/2018 19:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka përshëndetur miratimin e Rezolutës për Raportin e Progresit të Kosovës nga Parlamenti Europian për vitin 2018.
Ai përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook” ka shkruar se BE-ja nuk duhet t’i mbajë më tutje qytetarët e Kosovës të izoluar.

“Rezoluta e Parlamentit Europian, në mbështetje të perspektivës europiane dhe liberalizimit të vizave, është një tjetër thirrje për shtetet anëtare të BE-së që mos të mbajnë të izoluar edhe më tutje qytetarët e Kosovës. E përshëndes këtë rezolutë, përkushtimin dhe mbështetjen e euro deputetëve. Çdo vonesë në këtë proces është në kundërshtim me vlerat europiane dhe kundër dinjitetit të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Thaçi.

Parlamenti Europian gjatë ditës së sotme me shumicë votash e ka miratuar rezolutën për Raportin e Progresit të vitit 2018 për Kosovën.

Këtë rezolutë e mbështetën deputetët e Parlamentit Europian me 393 vota për, 139 kundër dhe 71 abstenime, ku deputetët e mirëpritën legjislacionin e miratuar në kuadër të Reformës së Agjendës Europiane.

Po ashtu në këtë rezolutë u bë thirrje që BE-ja të mbajë fjalën karshi Kosovës në lidhje me liberalizimin e vizave, pasi sipas raportuesit për Kosovën në këtë parlament, Igor Soltes Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret që ta meritojë këtë.