Thaçi: Protestat nuk duhet të shërbejnë për nxitjen e urrejtjes ndërfetare dhe ndëretnike

E publikuar: 22/07/2020 14:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka thënë se Kosova është shembulli më i mirë, jo vetëm në rajon por edhe më gjerë për tolerancën dhe bashkëjetesën e shkëlqyer ndërfetare.

Në ditën që u organizua protestë kundër ndërtimit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Thaçi ka shkruar se askush nuk ka asnjë arsye që të ndjehet i fyer, i anashkaluar apo i privilegjuar mbi baza fetare në shtetin tonë modern.

“Protesta dhe shprehja e pakënaqësisë janë vlera demokratike në shoqërinë tonë, por ato asnjëherë nuk duhet të shërbejnë për nxitjen e urrejtjes ndërfetare dhe ndëretnike”, ka shkruar presidenti Thaçi.

Ky është postimi i tij i plotë:

Ndjehem mirë dhe krenar, që së bashku me kreun e komunitetit të besimtarëve të krishterë dhe me Presidentin Rugova kemi vënë gurthemelin e Katedrales në Prishtinë. Po ashtu, ndjehem mirë dhe krenar, që së bashku me kreun e komunitetit të besimtarëve myslimanë dhe me Presidenten Jahjaga e vumë edhe gurthemelin e Xhamisë në Prishtinë.

Kosova është shembulli më i mirë, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë për tolerancën dhe bashkëjetesën e shkëlqyer ndërfetare, shekuj me radhë.

Askush nuk ka asnjë arsye që të ndjehet i fyer, i anashkaluar apo i privilegjuar mbi baza fetare në shtetin tonë modern.

Protesta dhe shprehja e pakënaqësisë janë vlera demokratike në shoqërinë tonë, por ato asnjëherë nuk duhet të shërbejnë për nxitjen e urrejtjes ndërfetare dhe ndëretnike.

Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj! HTH