Thaçi priti kryetarin e PD-së, Lulzim Bashën, diskutuan për zhvillimet politike në Kosovë e Shqipëri

E publikuar: 20/07/2020 15:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur në takim Kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Bashën, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet në Kosovë e Shqipëri dhe për mundësitë e bashkëpunimit më të mirë ndërshqiptar.

Presidenti Thaçi ka theksuar se destinacioni i Kosovës është që sa më shpejt të bëhet pjesë e NATO-s, dhe Bashkimit Evropian.

“Çdo përvojë pozitive nga Shqipëria dhe përvojë personale në këtë proces, në veçanti për liberalizimin e vizave, është i rëndësishëm për ne si institucione të vendit”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka theksuar se është e rëndësishme që të vazhdohet me krijimin e një konsensusi sa më të gjerë në angazhimet për perspektivë evropiane, për hapat konkretë, në veçanti tash për liberalizimin e vizave dhe për dialogun me Serbinë.

“Për neve është me rëndësi jetike që të kemi një koordinim mes spektrit politik në Kosovë, një konsensus sa më të gjerë, sa më gjithëpërfshirës, në mënyrë që të jetë një angazhim i unitetit të qytetarëve, shoqërisë civile, politikës, partive, institucioneve. Gjithmonë kontributi i Shqipërisë ka qenë i mirëseardhur”, ka theksuar presidenti Thaçi.

I pari i vendit ka thënë me tej se është jetike që faktori ndërkombëtar të jetë i koordinuar.

“Gjithashtu është jetike për neve që faktori ndërkombëtar të jetë i koordinuar, së pari Bashkimi Evropian të jetë unik, por edhe një koordinim i ngushtë mes Uashingtonit dhe Brukselit, në mënyrë që të jetë një proces i sigurt, i besueshëm dhe pastaj edhe i pranueshëm prej qytetarëve të Kosovës, i cili duhet të përmbyllet jo në aspektin teknik, sepse aspektet teknike i kemi diskutuar tash e nëntë vite 2011-2019, por të përmbyllet me njohje reciproke sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ndërsa, Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, ka shprehur mbështetjen e tij për presidentin Thaçi dhe për qëndrimet konsekuente në mbështetje të dialogut dhe në mbështetje të krijimit të unitetit në mes të të gjithë forcave politike në Kosovë.

“Është pikëpamja ime dhe e Partisë Demokratike se bashkërendimi midis gjitha forcave politike të Kosovës dhe bashkëpunimi i tyre vetëm e forcon dhe e fuqizon Kosovën me sfidat me të cilat po përballet aktualisht”, ka thënë Basha, duke vijuar me tej se si parti e orientimit euroatlantik thekson bindjen dhe besimin se bashkërendimi i ngushtë midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian ka qenë dhe mbetet një parakusht për suksesin e çdo iniciative në raport me stabilizimin përfundimtar dhe perspektivën evropiane dhe euroatlantike të të gjitha vendeve të rajonit tonë.

“Shpreh bindjen së një bashkërendim i tillë do ta fuqizojë dhe do ta përshpejtojë procesin e dialogut me synim njohjen reciproke midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë”, ka thënë Basha.

Lideri i opozitës së Shqipërisë ka shprehur mbështetjen totale të tijën dhe të Partisë Demokratike për të gjitha qëndrimet e krerëve të institucioneve dhe politikës në Kosovë.

“Shpreha mbështetjen totale timen dhe të Partisë Demokratike, të opozitës së bashkuar, për të gjitha qëndrimet e krerëve të institucioneve dhe politikës në Kosovë, në veçanti për ata që kanë sakrifikuar për 22 vite për lirinë e Kosovës dhe që ju duhet të vazhdojnë të sakrifikojnë në plan personal për të siguruar vazhdimësinë e fryteve të lirisë, pavarësisë dhe dinjitetit njerëzor për gjithë qytetarët e Kosovës, e në veçanti për presidentin Thaçi dhe për të gjithë bashkëpunëtorët e tij”, ka shtuar Basha.

Presidenti Thaçi e ka falënderuar kryetarin Basha për kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por edhe për kontributin në procesin e konsolidimit të shtetit të Kosovës dhe atë të njohjeve ndërkombëtare dhe anëtarësimit të Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare.