Thaçi priti ambasadorin izraelit në Beograd, Yossef Levy

E publikuar: 01/04/2015 12:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot Shkëlqesinë e Tij, ambasadorin e Izraelit në Beograd, Yossef Levy, i cili po realizon një vizitë zyrtare në Kosovë.

Thaçi e falënderoi ambasadorin Levy për mbështetjen që Izraeli dhe komuniteti hebraik anembanë botës i kanë dhënë Kosovës edhe në kohërat më të vështira në historinë e saj bashkëkohore. Ai tha se Kosova dhe Izraeli kanë ndërtuar një miqësi të qëndrueshme duke shtuar se shqiptarët gëzojnë raporte të shkëlqyeshme tradicionale me popullin hebraik dhe se ata i kanë shpëtuar shumë bashkëqytetarë nga radhët e këti komuniteti nga Holokausti.

“U takova sot me ambasadorin izraelit, Yossef Levy, me të cilin biseduam për bashkëpunimin në mes shteteve dhe popujve tanë. Janë të shumta gjërat që në bashkojnë, si në fushën e historisë ashtu edhe në kulturë dhe në orientimet tona politike dhe strategjike. Shpresojmë se nuk do të kalojë shumë kohë kur marrëdhëniet tona të shkëlqyeshme do të kurorëzohen me njohjen nga Jerusalemi,” ka thënë Thaçi.

Zëvendëskryeministri Thaçi tha se Kosova do të vazhdojë të thellojë bashkëpunimin me Izraelin në fusha të ndryshme dhe se janë krijuar kushte optimale që biznesmenët izraelitë të investojnë në Kosovë.