Thaçi President në raport me Serbinë, Kryeministër në raport me Shqipërinë

E publikuar: 24/10/2016 13:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dëshira për protagonizëm e Presidentit Hashim Thaçi, po e shtynë atë të marrë role të ndryshme në skenën politike.

Presidenti Hashim Thaçi duket se nuk po rehatohet vetëm në postin e Presidentit, edhe pse nga kjo pozitë ai ka shfaqur të marrë më shumë volum të punëve, siç është dialogu me Serbinë, që Thaçi po lobon të zhvillohet në nivel presidencial.

Në anën tjetër, kur janë në pyetje raportet me Shqipërinë, Thaçi ka një ambicie që të jetë njeriu kryesor që i mban kontaktet me Tiranën zyrtare, siç bëri këto ditë kur u diskutuan me të madhe raportet Kosovë – Shqipëri, për shkak të vizitës së Edi Ramës në Serbi.

Përveç një takimi jozyrtar atje me Edi Ramën, nga ku doli një fotografi “selfie”, e dy udhëheqësve, Thaçi ka paralajmëruar një takim të ri me shefin e Qeverisë shqiptare ose  “drekë pune”, siç e quajti Thaçi. Takimi do të zhvillohet këtë të martë në Prizren.

Në bazë të pozitës që e mban Thaçit i takon që për raportet Kosovë – Shqipëri, të diskutojë me homologun e tij Bujar Nishanin, i cili, po ashtu është përfshirë në këtë debat, duke i bërë vërejtje Ramës për vizitën në Serbi.

Ndërkohë që, Presidenti Thaçi dhe kryeparlamentari Veseli po ushtrojnë edhe kompetenca jashtë përshkrimit të punës së tyre, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, i cili “de facto” është zyrtari më i rëndësishëm në vend, mjaft pasiv – duke ngurruar që të përfshihet në tema të ndryshme aktuale në skenën politike.