Thaçi për Demaçin: Një komb është i madh cilësisht kur nxjerr nga gjiri i tij një njeri të përmasave evropiane dhe botërore

E publikuar: 26/07/2020 20:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka përkujtuar në dyvjetorin e vdekjes Adem Demaçin, për të cilin tha se është emri dhe mbiemri i ndërgjegjes kombëtare dhe politike të Kosovës së gjysmës së dytë të shekullit njëzet.

“Është emri i njeriut që sakrifikoi për së gjalli talentin e tij, rininë dhe burrërinë, duke ngritur zërin kundër pushtimit të Kosovës nga Jugosllavia, përkatësisht nga shteti i Serbisë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Ky është postimi i tij i plotë:

#Njerëztëpaharrueshëm❤️

ADEM DEMAÇI është emri dhe mbiemri i ndërgjegjes kombëtare dhe politike të Kosovës së gjysmës së dytë të shekullit njëzet. Është emri i njeriut që sakrifikoi për së gjalli talentin e tij, rininë dhe burrërinë, duke ngritur zërin kundër pushtimit të Kosovës nga Jugosllavia, përkatësisht nga shteti i Serbisë.

Me burgosjet e njëpasnjëshme, Adem Demaçi u shndërrua në simbol të vetëdijes sonë kombëtare, duke u bërë frymëzim për shumë gjenerata në rrugë drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Adem Demaçi ishte i burgosur politik që me ndërgjegje të lartë, qëndrueshmëri dhe konsistencë të përhershme nuk lëvizi asnjë moment nga ideali i tij jetësor.

Emri i tij personifikon vlerat më të mira të shpirtit liridashës të kombit që i përkiste, por edhe ato të vlerave universale të kulturës, tolerancës dhe dashurisë ndaj njerëzimit.

Jam krenar që pata fatin të punoj dhe koordinoj shumë veprime dhe qëndrime politike me Adem Demaçin si përfaqësues i lartë politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitet 1998 – 1999.

Një komb mund të jetë i vogël numerikisht, por është i madh cilësisht kur nxjerr nga gjiri i tij një njeri të përmasave evropiane dhe botërore.

Emri i Adem Demaçit është i përjetshëm, ashtu si ideali dhe ëndrra e lirisë, ashtu si Kosova e të gjitha gjeneratave që ishin, janë dhe do të vijnë. HTH