Thaçi nuk përgjigjet për kompromisin me Serbinë, por sulmon Grupin KOHA

E publikuar: 08/08/2018 20:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vazhduar me akuza kundrejt mediave dhe në veçanti kundër grupit “Koha”, duke u thënë se po flasin me gjuhën e Vuçiqit, raporton KTV.

Por, e vetmja gjë që bënë mediat, në këtë rast gazetarët e grupit KOHA, ishin pyetjet rreth deklaratave të tij kontroverse në konferencat e shpeshta që po i mban këto ditë.

Me dhjetëra kërkesa për të marrë përgjigje janë dërguar nga Kohavisioni në drejtim të Presidencës, që kur në krye të saj erdhi Hashim Thaçi.

Pyetjet e dërguara ishin nga më të ndryshmet, duke nisur nga përgjegjësitë e tij kushtetuese, e deri te mbyllja e tij hermetike ndaj mediave.
Ndryshimi drastik i presidentit brenda pak ditësh dhe dalja e tij 5 herë në javë në konferenca shtypi për të folur për kompromisin e dhimbshëm në raport me Serbinë, ka nxitur interesimin e mediave për të shtruar pyetje konkrete rreth qëndrimit të tij për ndryshimin e kufijve.

Por, as kështu nuk i kanë pëlqyer mediat presidentit Thaçi, e në veçanti grupi KOHA, i cili i thotë gazetarit Fitim Gashi, “mediumi juaj flet me gjuhën e Vuçiqit”.

Nuk është kjo hera e vetme kur presidenti nervozohet me media pse i shtrojnë pyetje. Përveç se nuk përgjigjet konkretisht, presidentit i është bërë shprehi t’i sulmojë mediat kur e ballafaqojnë me deklaratat e veta.

Ditë më parë, gazetari i “Kohës Ditore”, Fitim Gashi, e priti 5 ditë Presidencën për të marrë përgjigje përkitazi me opsionet e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Por, në ditën e publikimit të shkrimit, Thaçi i cili kishte injoruar pyetjet e gazetës, kishte hedhur akuza në drejtimit të grupit “Koha”, duke i cilësuar kronikat dhe shkrimet e KTV-së dhe Kohës Ditore si rrena të kulluara.
Ish-gazetar e tash analist politik, Imer Mushkolaj, mendon se Thaçi po mban konferenca të shpeshta vetëm për të çuar përpara çështjet që atij i interesojnë, sepse gjatë konferencave refuzon të përgjigjet në pyetjet e caktuara.
Ndryshimi i madh i presidentit Thaçi ndodhi pas takimit të tij të fundit me Aleksandër Vuçiqin. Pas asaj dite, Thaçi thotë se ndarje të Kosovës nuk do të ketë, por ndryshim të kufijve po.

Bashkim të Luginës së Preshevës me Kosovën po, por pa i dhënë në këmbim asgjë Serbisë.

Ndërsa, krejt këtë proces, vazhdon ta quajë një kompromis të dhembshëm që Kosova duhet ta bëjë.

Por, kur pyetet se cili është kompromisi?..Thaçi zgjedh të sulmojë mediat, veçanërisht grupin KOHA.