Thaçi: Nuk ka gjykatë, as tendencë dhe as fabrikim që mund ta njollosë Veselin dhe luftën e tij për çlirim

E publikuar: 07/11/2019 18:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas ftesës që ka marrë nga Gjykata Speciale, kreu i PDK-së, Kadri Veseli.

Gjatë ditës së sotme në një konferencë kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka bërë të ditur se është ftuar nga Gjykata Speciale.

Veseli ka thënë se më 4 dhjetor do të udhëtoj drejt Hagës mirëpo nuk ka bërë të ditur se në çfarë cilësie është ftuar.

Pas ftesës së Veselit, ka reaguar presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, shkruan lajmi.net.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Thaçi ka shkruar se ka pasur nderin që të udhëtojë bashkë me Veselin që nga fillimi në rrugën për lirinë e vendit.

Ai po ashtu ka thënë se askush dhe asgjë nuk do të mund ta njollosë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Nuk ka asnjë dyshim se zoti Veseli si edhe dhjetëra ish luftëtarë të UÇK-së, që tashmë janë ftuar nga Dhomat e Specializuara, ka pasur moralin më të lartë patriotik, politik dhe ushtarak. Nuk ka gjykatë, as tendencë dhe as fabrikim që mund ta njollosë zotin Veseli dhe luftën e tij për çlirim. Nuk ka gjykatë, as vendore as ndërkombëtare që mund ta njollosë luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera Thaçi.

Postimi i plotë i Thaçit pa ndërhyrje:

Fatin e viteve të gjata të robërisë dhe sundimit të popullit të Kosovës nga Serbia e ka ndryshuar përgjithmonë Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe angazhimi i të rinjve e të rejave që iu bashkëngjitën UÇK-së në luftë për liri dhe pavarësi.

Lufta jonë për liri është kauza më e pastër, më e drejtë dhe më fisnike që mund ta ketë për fat një popull në historinë e tij.

Kam pasur nderin e madh që për lirinë e Kosovës që nga fillimi të rrugëtoj vazhdimisht me Kadriun dhe në çdo hap jam ndjerë krenar me punën dhe angazhimin e tij të pa shoq, tash e tri dekada.

Nuk ka asnjë dyshim se zoti Veseli si edhe dhjetëra ish luftëtarë të UÇK-së, që tashmë janë ftuar nga Dhomat e Specializuara, ka pasur moralin më të lartë patriotik, politik dhe ushtarak.

Nuk ka gjykatë, as tendencë dhe as fabrikim që mund ta njollosë zotin Veseli dhe luftën e tij për çlirim.

Nuk ka gjykatë, as vendore as ndërkombëtare që mund ta njollosë luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ballafaqimi me këto pretendime do ta vulosë përgjithmonë dinjitetin e UÇK-së dhe do t’i diskreditojë e nihilizojë përgjithmonë fabrikimet në dëm të saj.

Nuk ka gjykatë, as vendore as ndërkombëtare ,që do të mund ta rishkruaj historinë, dhe të barazojë viktimën me agresorin.