Thaçi nuk e di se Kosova hoqi dorë nga aplikimi për INTERPOL

E publikuar: 22/09/2017 19:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kreu i shtetit Hashim Thaçi thotë të mos ketë informacion zyrtar nëse Kosova ka hequr dorë nga aplikimi për INTERPOL, ani pse kryeministri Ramush Haradinaj zyrtarisht njoftoi mediat e opinionin publik se Kosova nuk do të aplikojë kësaj here për anëtarësim në këtë organizatë.

“Unë nuk kam ndonjë informatë apo raport zyrtar rreth aplikimit por edhe rreth tërheqjes eventuale për çka flisni ju. Do të informohem në detaje dhe më pas do të jap opinionin tim zyrtar”, i ka thënë Thaçi Radion Evropa e Lirë, në një intervistë në New York ku po qëndron aktualisht.

“Por ajo që mund të them është se Kosova do të anëtarësohet në mekanizmat ndërkombëtarë dhe është rrugë e pandalshme. Por, për gjithçka do të duhet të ketë një analizë të qartë dhe të ketë një përgjegjësi të lartë shtetërore edhe në rast të aplikimit dhe angazhimeve, por edhe në përpjekjet tona finalizuese për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtarë. Kosova meriton të jetë pjesë edhe e INTERPOL-it dhe e mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë dhe kjo gjë do të ndodhë”, ka thënë më tej Thaçi.

Lexo edhe: Dështimi diplomatik i Kosovës në Interpol

Presidenti në New York është bashkë me kreun kosovar të diplomacisë, Behgjet Pacolli, i cili një ditë para tërheqjes së qeverisë nga anëtarësimi në INTERPOL, i tha KTV-së se nuk janë siguruar votat për këtë gjë, madje nikoqiri i Samitit të radhës së INTERPOL-it, Kina, as që ka nisur ftesat për delegacionin nga Kosova.

Vendimin që kandidimin ta shtyjë për një tjetër takim të kësaj organizate Haradinaj e ka marrë dje, më 21 shtator.

Për këtë mosanëtarësim, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fajësuar pikërisht qeverinë e re. LDK-ja thotë se tash pret se çfarë do të ndodhë me liberalizimin e vizave, me demarkacionin, me asociacionin, me krijimin e ushtrisë që, siç thotë në reagim, u dëmtua për shkak të protagonizmit pa frerë.