Thaçi në Mal të Zi për demarkacion, para vendimit të NATO-s

E publikuar: 02/12/2015 00:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar urgjent për në Malin e Zi, derisa burime të portalit Koha.net bëjnë me dije se numri dy i ekzekutivit po qëndron atje për të marrë pjesë në një takim, ku po trajtohet çështja e demarkacionit në mes të Malit të Zi dhe Kosovës.

Nesër, NATO do të marrë vendim për anëtarësim ose jo të Malit të Zi në Aleancën Veriatlantike, derisa njëri prej kushteve tejet të rëndësishme për një shtet. që të bëhet anëtare e kësaj Aleance, është vija e qartë kufitare.

Kosova dhe Mali i Zi kanë nënshkruar një marrëveshje për demarkacion mes tyre në Bruksel, por ajo ka hasur në kundërshtime të ashpra në Kosovë, dhe ende nuk është miratuar në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që të jetë i plotfuqishëm. Pos Thaçit, në emër të Kosovës. demarkacionin e ka nënshkruar edhe ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni.

Thaçi ishte paralajmëruar për sonte intervistë në Rubikon të KTV-së, por kishte anuluar prezencën me arsyetimin se i është dashur që të udhëtojë urgjent jashtë shtetit. Nesër, bashkë me kryeministrin Isa Mustafa, ai ka takim me sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry. Burime të portalit Koha.net, të afërta me Thaçin, kanë bërë me dije se atij i është siguruar nga Mali i Zi aeroplan special për në Prishtinë, në mënyrë që nesër të jetë me kohë në takim me sekretarin Kerry.

Koha.net do t’ju mbajë të informuar për ecurinë e kësaj ngjarjeje.