Thaçi në Bratisllavë: Serbia mos ta kushtëzojë dialogun, Parisi mundësi e mirë për vazhdimin e tij

E publikuar: 07/06/2019 14:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti Hashim Thaçi në panelin e “Forumit të Bratisllavës”  të organizuar nga GlobSec ku është i pranishëm edhe homologu i tij serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se dialogu nuk duhet të kushtëzohet dhe marrëveshja përfundimtare duhet të arrihet.

“Të jem këtu për herë të parë dhe të flas në emër të Kosovës është kënaqësi. Unë dua të falënderoj baroneshën Kathrin Eshton që ka ndihmuar në arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel në vitin 2013”.

“Unë dua të theksoj se ne jemi në një proces të dialogut. Në realitet ky proces është në krizë nga kushtëzimet e panevojshme në këtë proces”.

“Ajo çfarë është shumë e rëndësishme është se në Kosovë mbi 70 % e qytetarëve duan të kenë dialog dhe të arrihet një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. Natyrisht se ka mendime të ndryshme ashtu sikur edhe në Serbi”.

“Por, objektiva është e njëjta – mundësia e arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë që do të përmbyllë të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë, një marrëveshje që do të jetë përfundimtare, ligjërisht e obligueshme që do të ruajë realitetin e vendeve dhe shoqërive tona”.

“Natyrisht jo kufi etnikë dhe gjithashtu kjo marrëveshje duhet të përfundojë me njohje reciproke. E di se mundësia e arritjes së një marrëveshje të tillë do të sjellë më shumë paqe në Ballkanin Perëndimor dhe do të hapë një rrugë të sigurt për perspektivën europiane”.

“Kjo marrëveshje do të sjellë për vendin tim gjithashtu edhe njohjen nga pesë shtete anëtare të BE-së dhe do të hapë rrugën për integrim në NATO dhe Bashkimin Europian”.

“Ne kërkojmë edhe më shumë unitet mes SHBA-së, Gjermanisë, Italisë, Francës dhe Anglisë. Ne kërkojmë koordinim mes institucioneve të BE-së dhe SHBA-ve”.

Thaçi ka thënë se në Samitin e Berlinit mund të kishte më shumë progres për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai është shprehur optimist se do të ketë hapa konkretë në rifillimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Samitin e Parisit që do të mbahet më 1 korrik, njofton Klan Kosova.

“Unë besoj se në javët në vijim do të krijojmë një ambient më pozitiv për të tejkaluar këto pengesa që kemi para nesh për të vazhduar dialogun”.

“Samiti i Parisit mund të jetë një mundësi për të vazhduar dialogun me hapa konkretë. Objektiva është më e madhe se pengesat që kemi para nesh”.