Thaçi mbështet taksën dhe kërkon “kufi etnik shqiptar”

E publikuar: 09/05/2019 15:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
AFP

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në dalje të samitit me dyer të mbyllura të Brdo-Brijunit, të mbajtur në Tiranë, tha se me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama një ditë më herët kanë diskutuar për mundësinë e bashkimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, dhe krijim të “kufijve etnik shqiptarë” si një njësi e vetme.

“Unë kam diskutuar dje me kryeministrin e Shqipërisë, zotin Rama në një bisedë shumë të hapur, kemi diskutuar për mundësinë e heqjes së tërësishme të kufirit Kosovë – Shqipëri, të një modeli evropian nën ombrellën e vlerave euro-atlantike. Askush nuk duhet t’i frikësohet komunikimit dhe integrimit kombëtar dhe të një lëvizjeje e një hapësire ku jetojnë shqiptarët – pa kufij. Pra në një lëvizje të lirë, gjithmonë duke përfshirë Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin”, tha Thaçi.

Presidenti Thaçi theksoi po ashtu edhe që aplikimi i taksës 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë është legjitim dhe do “të mbetet në fuqi” si dhe dialogu mes dy shteteve duhet të vazhdojë i pakushtëzuar.

Thaçi: Taksa duhet të mbetet në fuqi

Sipas tij, taksa kishte dëmtuar procesin e dialogut dhe të një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, për të cilën ai thotë se do të çonte në njohje reciproke të të dy vendeve.

Ai shtoi se në samit u diskutua edhe çështja e Kosovës, ku ai ka theksuar faktin që mosliberalizimi i vizave do të ishte “i padrejtë dhe ndëshkim për popullin e Kosovës”.

Sipas presidentit, Kosova ka implementuar të gjitha kriteret e kërkuara. “Nëse vijon të mos merret ky vendim, është një diskriminim ndaj Kosovës”, tha presidenti.

Lidhur me kufijtë, presidenti Thaçi bëri të qartë se nuk qëndron në mbështetje të idesë për korrigjimin e kufijve apo shkëmbimin e territoreve me Serbinë dhe se ideja e tij lidhet kryesisht me relativizim kufijsh dhe bashkim shtetesh sipas modelit evropian.