Thaçi: Marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet ta gëzojë përkrahjen e SHBA-ve

E publikuar: 26/12/2018 15:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në fjalimin e tij vjetor të mbajtur në Kuvendin e Kosovës ka folur edhe për procesin e dialogut si dhe arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë.

Ai ka thënë se e mirëpret themelimin e ekipit negociator, dhe sipas tij i njëjti do të angazhohet në përputhje me rezolutat e Kuvendit, raporton lajmi.net.

“E mirëpres themelimin e ekipit negociator. Ky ekip e ka legjitimitetin për të kryer angazhimet e veta në përputhje me rezolutën. Marrëveshja me Serbinë duhet të jetë përfundimtare dhe e përgjithshme, dhe e mbështetur nga SHBA-të”, ka thënë ai.

“Marrëveshja duhet t’i sjellë Kosovës njohjen nga Serbia dhe anëtarësimin në Organizatat Ndërkombëtare, si dhe rajonit do t’i sjellë paqe dhe stabilitet”, ka thënë tutje ai.

Thaçi po ashtu ka thënë se Kosova do të jetë mirënjohëse për SHBA-të, dhe presidentit Trump  për përkrahjen e vazhdueshme.

“I jemi mirënjohës gjithmonë SHBA-ve, jemi mirënjohës ndaj presidentit Trump i cili Kosovën e konsideron si partner të sajin. Duhet të marrim me seriozitet ftesën e Trump i cili thotë se duhet ta shfrytëzojmë këtë moment historic. Kemi përkrahjen e shtetit më të fuqishëm, atë të SHBA-ve. E kemi përkrahjen edhe të BE-së, rajonit dhe botës”, ka thënë ai.

Thaçi po ashtu ka thënë se nëse Kosova e humb këtë moment historik, do të ishte kthim tragjik prapa.

“Nëse humbin këtë rast, do të ishte kthim tragjik prapa, dhe do të humbasim një mundësi që nuk do të përsëritej që një kohë të gjatë”, ka përfunduar ai.