Thaçi: Kurrë në tavolinë s’ka qenë ndonjë ide e shkëmbimit te territoreve

E publikuar: 01/06/2019 13:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Forumin për Siguri që po mbahet Budva të Malit të Zi, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur në lidhje me arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë dhe për demaskimin e kufijve me këtë shtet.

“Është i ndjeshëm si proces si në Kosovë edhe në Serbi për shkak të së kaluarës dhe i ndjeshëm atje për shkak të mitit që ka krijuar Beogradi në lidhje me ndikimin në Kosovë”.

“Për mua kjo personalisht paraqet regres të gjithanshëm, po kalojmë në një gjendje të një konflikti të ngrirë që lehtë mund të ketë pasoja për dy popujt tanë”, transmeton Lajmi.net.

“A do të jetë e lehtë? Jo, do të jetë shumë e vështire. Do të jenë dy mundësi, njëra është të flitet me Serbinë për atë që ka ndodhur në Kosovë dhe në anën tjetër është të gjendet rruga më e vështirë por më e drejtë. Unë jam përcaktuar për të dytën, se është më e mirë për të ardhmen atlantike”.

“Kemi fituar mbi 100 njohje, jemi anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, por jemi dëshmitarë të pengesës së Serbisë, p.sh pengesa për anëtarësimin e Kosovës në Unesco, e cila është pengesë e vendosur nga Serbia dhe Rusia”.

“Për pengesa në Interpol, këtu s’po them se ka qenë edhe çështje e Rusisë, por edhe vendet që na kanë njohur si shtet s’na kanë votuar. Mirëpo kjo nuk d.m.th që duhet të dorëzohemi para këtij agresioni serb, por ky është një realitet”.

“Nëse Kosova dhe Serbia mund të arrijnë gjatë këtij viti marrëveshje përfundimtare, benefitet do të jenë të mëdha”.

“Kosova mund të jetë pjesë e OKB-së, të ketë njohje globale. Përfitimet tjera në rrafshin e brendshëm do të jenë kolosale. Dhe para së gjithash se me një marrëveshjeje të tillë mund të ndodhë një transformim i lidershipit dhe prioriteteve”.

“Frikësohem që nëse nuk arrihet marrëveshja përfundimtare, konsolidimi i rrafshit ndërkombëtar të Kosovës do të jetë plot pengesa dhe i gjatë”.

“Dukem skeptik, por edhe realist. Në të njëjtën kohë pa marrëveshje të tillë edhe Serbia do të ketë ngecje”.

“Nuk do të jetë fare e lehtë por nëse e humbim këtë rast frikësohem që do të humbim dekada”.

Thaçi foli po ashtu edhe në lidhje me pretendimet e shkëmbimit të territoreve:

“Është krijuar një keqkuptim në opinion dhe këto kanë sjellë gjëra skeptike të procesit. Kurrë në tavolinë nuk ka qenë ndonjë ide e shkëmbimit te territoreve. Për arritjen e marrëveshjes natyrisht se duhet të ndodhë demarkimi i kufirit. Unë si president i Kosovës dhe ai i Malit të Zi kemi arritur marrëveshje për korrigjimin e marrëveshjes se nënshkruar të demarkacionit dhe kjo ka ndihmuar në votimin e parlamentit të Kosovës të kësaj marrëveshjeje”.

“Kush mendon se Kosova e njeh Serbinë dhe anasjelltas pa e demarkuar kufirin, për mua është injorant”.

“Ne kemi çështje të hapura sa i përket të pagjeturve, arsim, shëndetësi, artefakte arkeologjike, etj. etj, e shumë gjëra të tjera që kanë mbetur të hapura dhe kërkojnë zgjidhje dhe ky është interesi i dyanshëm”.

“T’i përmbyllim këto çështje dhe me pas të përmbyllet edhe çështja e demarkimit kufitar”.

“Për t’u arritur një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi, kërkohet një angazhim unik i SHBA-së, BE-së si institucione, Gjermanisë, Britanisë, Francës, etj., por fatkeqësisht në këtë proces nuk ka pasur një angazhim unik, por ka pas një dallim në nuanca që e kanë lënduar procesin e arritjes së marrëveshjes përfundimtare”.

“Kur këto vende do të jene unike, Prishtina do te jetë edhe më unike. Të mos merremi me skepticizma”, ka deklaruar Thaçi.