Thaçi kritikon liderët: Veprimet e nxituara po na dëmtojnë

E publikuar: 22/06/2019 15:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur se vendimet dhe veprimet e nxituara dhe të pakoordinuara dhe të gabuara stratigjikisht të institucioneve të Kosovës e kanë dëmtuar respektin dhe mbështetjen perëndimore për Kosovën.

Ai këto komente i ka bërë në statusin e tij në Facebook, ku tregon se është njoftuar nga partnerët ndërkombëtar se Samiti i Parisit si vazhdim i atij të Berlinit nuk do të mbahet, shkruan lajmi.net.

Thaçi ka shtuar se dështimi i procesit të filluar në Berlin, duhet të jetë moment reflektimi për akterët vendorë dhe ndërkombëtarë udhëheqës të procesit të dialogut.

“Ngërçi në dialog dhe anulimi i Samitit të Parisit për të dy vendet, Kosovën dhe Serbinë, shënon hap prapa për të ardhmen evropiane. Prandaj, i bëj thirrje BE-së dhe SHBA-së që të mos i ndalin përpjekjet e tyre për rifillimin e dialogut dhe arritjen e marrëveshjes paqësore”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Ky është postimi i tij i plotë:

Dje dhe sot nga partnerët evropianë u informova se pas përpjekjeve të shumta për sukses, Samiti i Parisit, si vazhdim i atij në Berlin, definitivisht nuk do të mbahet. Ishte planifikuar vazhdimi i dialogut Kosovë – Serbi, i udhëhequr nga BE-ja, me mbështetjen unike dhe të fortë francezo-gjermane.

Vendimet dhe veprimet e nxituara, të pakoordinuara dhe të gabuara strategjikisht të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, kanë dëmtuar rëndë respektin dhe mbështetjen e partnerëve tanë perëndimorë për Kosovën. Si rrjedhojë, partnerët tanë ndërkombëtarë, fatkeqësisht sot e mbajnë Kosovën përgjegjëse për bllokimin e dialogut, për dështimin e takimit të paraparë në Paris dhe për prolongimin e vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë.

Dështimi i procesit të filluar në Berlin dhe anulimi i Samitit të Parisit, duhet të jetë moment reflektimi për akterët vendorë dhe faktorët ndërkombëtarë udhëheqës dhe mbështetës të procesit të dialogut për normalizim dhe pajtim mes shteteve dhe popujve tanë. Ngërçi në dialog dhe anulimi i Samitit të Parisit për të dy vendet, Kosovën dhe Serbinë, shënon hap prapa për të ardhmen evropiane. Prandaj, i bëj thirrje BE-së dhe SHBA-së që të mos i ndalin përpjekjet e tyre për rifillimin e dialogut dhe arritjen e marrëveshjes paqësore. HTH.