Thaçi: Kosova në Washington shkon me flamurin e saj, nga Shtëpia e Bardhë gjithmonë kanë ardhur lajme të mira

E publikuar: 18/06/2020 16:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se institucionet e Kosovës e kanë marrë me shumë përgjegjësi takimin e thirrur për 27 qershor në Washington.

“Atje shkojmë me parime të qëndrueshme. Takimi e paralajmëruar në Shtëpinë e Bardhë e konsiderojmë si kthesë historike dhe mundësi për rifillimin e një procesi për arritjen e paqes. Delegacioni shtetëror i Republikës së Kosovës njësoj si në të kaluarën shkon i përgatitur për të përfaqësuar interesant shtetërore”.

“Njësoj si përpara, Kosova ka qenë dhe do të jetë në anën e duhur dhe të drejtë të historisë. Vendi ynë është i bekuar me përkrahjen e SHBA-së. Kosova do të punojë për arritjen e marrëveshjes paqësore Kosovë-Serbi . Qytetarët e dinë se nga u kanë ardhur gjithmonë lajme të mira, kështu do të jetë edhe sot edhe në të ardhmen”, ka thënë Thaçi në konferencë, njofton Klan Kosova.

“Sa herë kemi pas bashkëveprim me bashkësinë ndërkombëtare rezultatet kanë qenë pozitive. Kam besim se edhe takimi në Washington do t’i kontribuojë konsolidimit të brendshëm dhe ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”.

Thaçi ka thënë se procesi i dialogut me Serbinë do të jetë tërësisht transparent.

“Kosova në Washington shkon me flamurin shtetëror që është integriteti territorial i shtetit të Kosovës. Çdo paragjykim apo spekulim është i panevojshëm. Delegacioni është ftuar në SHBA ku zë fill liria dhe pavarësia e shtetit të Kosovës. Trump dhe SHBA gëzojnë besimin e palëkundur të popullit të Kosovës dhe shtetit të Kosovës”.