Thaçi: Ideja e korrigjimit shmang ndarjen dhe asociacionin

E publikuar: 19/10/2018 12:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka deklaruar se përmes realizimit të idesë së korrigjimit të kufijve do të shmangej ndarja e Kosovës.
“Ideja për korrigjimin e kufirit definitivisht e shmang skenarin e ndarjes së Kosovës, idenë e Beogradit dhe të Rusisë, e mbi të gjitha themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe me përgjegjësi apo elemente ekzekutive, diçka që ata pretendojnë të ndodhë në Kosovë”.

Këto komente Thaçi i bëri pas takimit me Shoqatën e Gazetarëve dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile të Luginës së Preshevës, transmeton Lajmi.net.

Presidenti edhe njëherë pohoi se ideja për korrigjimin e kufijve është në funksion të paqes në rajon dhe të ardhmes euroatlantike të Kosovës dhe Serbisë.

Ai gjithashtu bëri thirrje për unitet në mënyrë që marrëveshja të arrihet brenda vitit.

“E rëndësishme është që edhe BE-ja si udheheqës i këtij procesi, edhe me mbështetjen e plotë të SHBA-ve dhe ne si Kosovë, të punojmë në nxjerrjen e një platforme të nevojshme dhe të domosdoshme nga Kuvendi i Kosovës, por eshte delegacioni i Kosovës të jetë sa më i gjerë i mundshëm, në mënyrë që në muajt e ardhshëm që kanë mbetur të lëvizim drejt finalizimit”.

Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës në takim me Thaçin shprehën mbështetjen e tyre për idenë e korrigjimit të kufijve në kuadër të marrëveshjes finale të dialogut Kosovë-Serbi.

Nexhmedin Saqipi tha se kjo ide duhet të gjejë përkrahje.

“Idenë e presidentit e kemi përkrahë në tërësi duke u nisur nga subjektet politike e deri tek popullata”.

“Si analistët ashtu edhe njerëzit me pëgjegjësi institucionale duhet të jenë të kujdesshëm çfarë po thonë. Këtu bëhet fjalë që të mbështesim këtë ide”.

Sevdail Hyseni nga shoqëria civile në Luginë, deklaroi se në këtë pjesë shqiptarët vazhdojnë të përballen me diskriminim sistematik dhe se ideja e korrigjimit është e qëlluar.

“Ideja për korrigjimin e kufijve është një nga idetë më të qëlluara e më të mira. Ne sa kemi mundësi atje po mundohemi ta sensibilizojmë dhe afirmojmë një ide të tillë, që me të vërtet tek ne-tek masa, ndoshta me një dozë të frikës, është pranuar”.

“Kufijtë duhet të korrigjohen që të mos kemi telashe”.