Thaçi i gatshëm për postin e presidentit

E publikuar: 06/04/2015 23:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se është gati për detyrën e presidentit të vendit. Kjo po del të jetë arsyeja kryesore pse ai hoqi dorë nga posti i kryeministrit, dhe jo pse u lodh me këtë punë për shtatë vjet. “Nuk jam fare i lodhur përkundrazi jam në formën ma të mirë të mundshme edhe njerëzore edhe djaloshare edhe politike”, ka thënë Thaçi në një intervistë për “Zona B” të “Klan Kosova” e cila është realizuar në Ulqin, atje ku bashkë me Edi Ramën u shpall

“Qytetar nderi”.
Kjo formë bashkë me rezultatet e mëhershme në zgjedhje e kanë bërë Thaçin të mësyj më lartë. “Besimi i qytetarëve, si lideri më i votuar tash e tetë vite dhe fitorja në tri zgjedhje nacionale më jep fuqi dhe energji për të vazhduar edhe më fuqishëm edhe në të ardhmen”, ka deklaruar Thaçi.

Ai ka siguruar se do t’i futet kësaj gare me bindjen se do të fitojë postin, pavarësisht formës së garës që i duhet t’i nënshtrohet dhe marrëveshjes politike që bëri me LDK-në për këtë punë.

Thaçi la të kuptojë se presidenti i ri i shtetit do të zgjidhet në një mënyrë ndryshe, e jo nga Kuvendi, si deri më tash. “Edhe në të ardhmen do vazhdojë të jem në krye të obligimeve që më takojnë, në bazë edhe të marrëveshjes dhe legjitimitetit qytetar, dhe do prezantoj orientimet dhe prioritetet që me të vërtetë janë prioritete, që mund të sjellin një model të ri presidencial në Kosovë, në kuptimin e respektimit kushtetues dhe ligjor, por në të njëjtën kohë të transparencës së zgjedhjes së presidentit. Kjo është edhe një reformë për vendin, mendoj se diçka e tillë i ka munguar vendit, që do të ballafaqohet në të ardhmen me prezantimin e orientimeve, prioriteteve dhe agjendës në Kosovën e re, dhe natyrisht me një qasje të re presidenciale, por edhe ekzekutive, duke respektuar gjithmonë kornizat kushtetuese dhe ligjore të ndarjes së pushteteve”, ka thënë Thaçi.