Thaçi fton partitë të lënë anash inatet dhe të krijojnë ekipin e unitetit

E publikuar: 31/08/2017 13:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u ka bërë thirrje partive politike që të lënë anash inatet dhe interesat partiake për të krijuar institucionet e vendit dhe ekipin e unitetit.

Thaçi ditë më parë njoftoi nismën për krijimin e një ekipi të unitetit në dialogun me Serbinë, por këtë nismë e kanë refuzuar një pjesë e subjekteve politike në Kosovë, ndërsa Thaçi edhe një herë u ka bërë thirrje për krijimin e këtij ekipi, transmeton Koha.net.

“Kosova, para vetes, ka shumë sfida dhe nuk ka kohë për të humbur. Sukseset më të mëdha të këtij vendi janë arritur vetëm kur kemi qenë të bashkuar”, ka shkruar Thaçi në Facebook pak minuta pas takimit të ndërmjetësuar të BE-së mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ftoj të gjitha partitë politike që të lënë anash inatet, interesat partiake dhe t’i bashkohen krijimit të institucioneve të Kosovës dhe ekipit të unitetit”, ka shtuar ai.

Thaçi ka shkruar se Kosova duhet të përfaqësohet nga gjitha subjektet politike me qëllim që të mbylljet përfundimisht konflikti me Serbinë.

“Kosova, në këtë dialog, duhet të përfaqësohet e bashkuar si kurrë më parë, për të përmbyllur përjetësisht konfliktin njëshekullor me Serbinë dhe për t’i hapur rrugë paqes dhe mirëqenies së qytetarëve”, ka shkruar ai.