Thaçi falënderon Kroacinë për insistimin e mbajtjes së samitit në kohë pandemie

E publikuar: 06/05/2020 11:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka zhvilluar bisedë telefonike me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, në kuadër të përgatitjeve për Samitin e Zagrebit që do të mbahet pasditen e sotme.

Siç njofton kumtesa, Thaçi shprehu mirënjohje për këmbënguljen e Kroacisë që të mbahet Samiti i Zagrebit edhe në kushtet e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19.

“Jemi mirënjohës që keni insistuar që samiti të mbahet edhe në këto kushte dhe që po mbani Ballkanin Perëndimor lart në agjendën e BE-së”, u shpreh presidenti Thaçi, njofton kumtesa nga presidenca.

Tutje, citohet Thaçi të ketë thënë se “Kosova dhe Kroacia janë partnerë strategjikë në rajon dhe në perspektivën evropiane”.

Kroacia është kryesuese e radhës e BE-së në gjysmën e parë të këtij viti dhe e ka prioritet të kryesimit të saj afrimin e BE-së me Ballkanin Perëndimor.