Thaçi e Vuçiq shpërfaqin dallime rreth marrëveshjes eventuale

E publikuar: 16/02/2019 23:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë diskutuar sot për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet dy shteteve, gjatë një paneli në Konferencën për Siguri, që sivjet zhvillon punimet në Mynih të Gjermanisë.

Dy presidentët shfaqën dallimet e tyre rreth procesit të dialogut. Presidenti Thaçi tha se dialogu në Bruksel duhet të zhvillohet pa kushte. Por, Vuçiq u shpreh se Serbia është e gatshme për dialog, sapo të hiqet taksa doganore prej 100 për qind ndaj mallrave serbe, që Kosova ka vendosur në muajin nëntor të vitit të kaluar.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se arritja e një marrëveshjeje paqësore, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e vështirë, por ai tha se beson që në muajt në vazhdim të arrihet një zgjidhje, që sipas tij, do t’i përmbyllte armiqësitë ndërmjet dy vendeve.

“Ne do të punojmë shumë dhe shpresoj që të shohim fleksibilitet dhe kreativitet edhe në Beograd, dhe në javët dhe muajt e ardhshëm të arrijmë një marrëveshje përfundimtare, që do të ruajë multietnicitetin e Kosovës dhe Serbisë dhe do të përmbyllë njëherë e përgjithmonë armiqësitë ndërmjet dy vendeve”, tha Thaçi.

Thaçi tha se marrëdhëniet Kosovë-Serbi janë të komplikuara dhe momentalisht mund të thuhet se është “një konflikt i ngrirë”.

“Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë komplikuar. Kemi probleme të vjetra njëqindvjeçare të armiqësisë dhe periudhës së freskët të luftës në Kosovën në vitin 1999”, tha Thaçi, raporton Rel.

Vuçiq në anën tjetër nuk u shpreh aq optimist lidhur me mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje të tillë. Ai tha se duhet gjetur një zgjidhje kompromisi, dhe jo vetëm njëra palë “të humbë” e tjera “të fitojë”.

“Ne jemi të gatshëm për të vazhduar dhe unë nuk jam aq optimist, por nëse punojmë fortë unë nuk e refuzojë mundësinë e arritjes së marrëveshjes. Por, sot fatkeqësisht jemi shumë larg nga kjo. Ne do të bëjmë më të mirën për të arritur një zgjidhje kompromisi. Nuk duhet të jetë dhe nuk do të jetë kapitullimi i njërës palë, në këtë rast të Serbisë”, tha Vuçiq.

I pranishëm në këtë panel ishte edhe komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi, Johannes Hahn, i cili inkurajojë të dy presidentët që të punojnë drejt arritjes së një marrëveshjeje.

Gjatë këtij diskutimi në Mynih, presidentët Thaçi e Vuçiq po ashtu debatuan rreth moskrijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si një nga pikat e Marrëveshjes së Brukselit. Vuçiq tha se ky ka qenë obligimi i vetëm i Prishtinës nga kjo marrëveshje, që nuk e ka zbatuar. Por, Thaçi tha se Asociacioni do të formohet në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e vendit.

Që prej nëntorit të vitit të kaluar kur Kosova vendosi taksë doganore ndaj mallrave serbe, njëherë 10 e më pas 100 për qind, bisedimet në Bruksel ndërmjet presidentëve janë ndërprerë.

Serbia po kërkon që të hiqet tarifa, në mënyrë që të vazhdojë dialogu. Por, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, po insiston se taksa do të mbetet në fuqi derisa Serbia ta njohë Kosovën.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i këtij procesi, kërkon që të dyja palët të arrijnë marrëveshje për normalizimin e raporteve, e cila do t’u hapte rrugën e perspektivës evropiane, të dyja shteteve.